Departamenti Amerikan i Shtetit përmes një reagimi të zëdhënese se vet vlerëson vendimin e Shqipërisë për dëbimin nga vendi të dy diplomatëve të Iranit.

“Ne e vlerësojmë vendimin e qeverisë së Shqipërisë për të dëbuar dy diplomatët e ashtuquajtur të Iranit. Regjimi iranian vazhdon të përdorë objektet e tij diplomatike në Evropë dhe gjetkë si mbulesë për të komplotuar sulme terroriste, si dhe për të kërcënuar dhe spiunuar iranianët që jetojnë jashtë”, shkruan zëdhënësja e DASH Morgan Ortagus.

Ndërkohë, dje ministri i Jashtëm Gent Cakaj njoftoi se dy diplomatë iranianë janë dëbuar nga Tirana dhe janë shpallur “non grata”. Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe Seyed Ahmad Hosseini, njëri në pozicionin e Sekretarit të Tretë dhe tjetri Atashe Kulturor në Ambasadën e Iranit janë shpallur “non grata” në Shqipëri dhe u është kërkuar largimi i menjëhershëm nga vendi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re