Familja e shoferit, një ndër tre viktimat e tragjedisë së 26 nëntorit, ka mirëpritur arrestimet e tre të dyshuarve për ngjarjen, por nga ana tjetër ka hedhur poshtë pistën se vrasjet erdhën si shkak i djalit të tyre, Gani Gjokajt.

Në intervistë për Kohën, Xhafer Gjokaj, babai 80 vjeçar i të ndjerit, tha se pret që shteti të zbardhë ngjarjen.

“Jam i kënaqur me arrestimet dhe pres dënimet më të rënda për vrasësit që bën masakër edhe në nxënës”, ka thënë ai nga oda e tij ku po qëndronte me të vëllain Smailin.

Më tutje i moshuari ka mohuar njohurinë me emrat e të arrestuarve, emra të cilët u publikuan në mediat e Kosovës, ditën e djeshme të arrestimit. 80 vjeçari po ashtu mohoi idenë e hakmarrjes për shkak të vetëvrasjes së një vajze që si faj, i atribuohej të birit të ndjerë.

“Jo nuk i njohim, Gllogjani është i madh, ata që thanë se janë arrestuar, nuk dimë send kush janë e tek janë.

Po të kishte diçka të vërtetë këtu, familja e asaj çike ishte dashur me na çu njerëz sipas traditës dhe ia kishim gjetë çaren kësaj pune, ishim përgjigj, por ne nuk kemi marrë asnjë fjalë, asnjë ‘selam’ prej askujt për këta dhe ato fjalë nëse kanë thënë ashtu ata që u arrestuan, janë vetëm me e arsyetu veten.

Djali jem nuk ka qenë i tillë, hyni këtu e deri në Pejë se s’mundesh me gjet dikë që flet keq për të. Nëse i paska pas hak dikujt, pse vrasësit kanë qitë maska kur kanë shtënë drejt autobusit, kur vritet dikush për hakmarrje vritet hapur dhe merret përgjegjësia, e jo kështu.

Po të kishte përgjegjësi për vetëvrasje të asaj çike që po thonë nga Gllogjani, djali nuk do të kishte punuar në Gllogjan me autobus, edhe një vit pasi paska vdek ajo çikë”, ka dhënë një arsyetim tjetër Xhafer Gjokaj.

I vëllai i Xhaferit, Smajli, tha këto fjalë për Kohën

“Mbrëmë pasi u dha lajmi për këto arrestime dëgjova mandej se djali jonë ishte marrë në pyetje për atë vajzë, i ishte marrë edhe telefoni përkohësisht dhe pasi ishte dalë i pafajshëm, ishte liruar. Po të kishte përgjegjësi, djali ynë nuk do të lihej i lirë nga shteti tash e më tepër se një vit pas vetëvrasjes së asaj vajze”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re