Autor: Erjola Azizolli BIRN

Thoma Doga, është një banor i hershëm i rrugës që çon drejt kalasë shekullore të Beratit. Ai i vjen në ndihmë familjes me një dyqan të vogël që ndodhet në anë të rrugës, ku veçanërisht gjatë verës ka shumë lëvizje.  Ndërsa, është në pritje të klientëve të rradhës Doga shikon me kujdes kalldërmin e ri që është ndërtuar këtu së fundmi.

“Disa gurë kanë lëvizur nga vendi dhe po shfaqen hapësira mes rreshtave të kalldrëmit”, i thotë burri interesimit të BIRN, në lidhje me punimet e kryera.

Banorët këtu janë të lidhur shumë me lagjjen dhe investimi i fundit i gëzoi, por tani shohin me sy kritik spostimin e gurëve mes rreshtave dhe dëmtimet e tyre vende-vende.

“Ne jemi nga pak mjeshtra guri sepse kemi lindur dhe rritur në këtë lagjje, ndaj dhe shqetësohemi për cilësinë e punimeve, sepse po shohim që kalldërmi ka në disa vende spostime dhe disa gurë janë dëmtuar”, thotë Doga për BIRN.

Shqetësimi i banorit nuk është i vetmi pas përfundimit të punimeve në këtë pjesë të qytetit. Defektet e kalldrëmit që ishte investimi më i rëndësishëm ndër vite aty, ka sjellë reagime në rrjetet sociale. Qytetarët kanë denoncuar pjesë të dëmtuara të kalldrëmit, spostim mes rreshtave të kalldrëmit dhe gurë të hequr nga vendi.

Kryebashkiaku i Beratit Petrit Sinaj tha për BIRN se problemet që u shfaqën pas përfundimit të projektit bënë që ai të mos merrte pjesë në inagurim dhe që bashkia të merrte në dorëzim me kushte kalldrëmin. Ndërkohë Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës, ndërsa pranuan problemin ia lanë përgjegjësinë pushtetit vendor dhe hapjes së rrugës për makina të tonazhit të rëndë dhe lëvizjes me dy sense.

Rehabilitimi i rrugës hyrëse drejt kalasë “Mihal Komneno”, ishte një investim i realizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me një vlerë prej 148 milion lekë më TVSH financuar nga Banka Botërore dhe u realizua  nga marsi deri në tetor 2018. Projekti u inagurua në mars 2019 gjatë një vizite të kryeministrit Edi Rama, duke e konsideruar atë si vijim të “Rilindjes Urbane” të Beratit.

Në rehabilitimin e rrugës hyrëse për në kala në një zonë të shpallur si pjesë e trashëgimisë kulturore të botës nga UNESCO, është realizuar zëvendësimi i kalldrëmit të vjetër dhe po ashtu vendosja e tubacioneve të ujërave të bardha e të zeza.

Probleme të ngjashme me rehabilitimin e kalldrëmeve të vjetra në një tjetër qytet që mbrohet nga UNESCO  u vunë në dukje në Gjirokastër në një projekt të financuar po ashtu nga Banka Botërore.

Bashkia e merr në dorëzim me kushte

Kryetari i Bashkisë së Beratit, Petrit Sinaj, i tha BIRN se ka pasur reagim të ardhur nga qytetarët që i ka paraprirë shqetësimeve të tij të hasura gjatë punimeve.

“Specialistët e bashkisë gjatë punimeve kanë vërejtur problematika që lidhen me kalldrëmin, punimet nëntokësore, por dhe pozicionimin e shtyllave të ndriçimit, pasi nuk pasur dakortësi për vendosjen e tyre”, shprehet kreu i bashkisë për BIRN.

Sipas tij për të gjitha këto problematika është vënë në djeni supervizori dhe është kërkuar që të merren masa.

“Bashkia ka pranuar marrjen e përkohshme në dorëzim të objektit, por është shprehur qartë se defektet duhet të riparohen brenda periudhës së parashikuar dhe këto  janë bërë të ditura në çertifikatën e marrjes në dorëzim ”, shprehet Petrit.

Kreu i bashkisë thotë se këto problematikat u bënë shkak që ai  të mos merrte pjesë as në inagurimin e përfundimit të punimeve.

“Unë nuk shkova as në inagurim, pasi si qytetari i parë i Beratit dua të garantoj investime në cilësi, ndaj dhe nuk jam lodhur kurrë duke kontaktuar supervizorët, të cilët më kanë garantuar që do t’i marrin parasysh defektet”, thotë Sinaj, i cili u zgjodh si kryebashkiak në koalicionin PS-LSI në vitin 2015.

Makina të prakuara brenda zonës me kalldrëm të ri në Berat. Foto: Erjola Azizolli.

FSHZH: Faji i makinave jo punimeve

Por, Fondit Shqiptar i Zhvillimit bën me dije se problematikat e hasura në terren nuk kanë të bëjnë me cilësinë e punimeve sië pretendoi kryebashkiaku, por me mos rrespektimin e rregullave të qarkullimit në rrugë duke i lënë përgjegjësinë pushtetit vendorë për kufizimin e qarkullimit aty.

“Nga një raport i fundit i hartuar nga kompania e supervizionit janë identifikuar disa problematika që nuk kanë të bëjnë me bazamentin e kalldrëmit apo cilësinë e punimeve, por nga mos respektimi i kritereve të përdorimit të rrugës nga automjetet”, bëri me dije për BIRN, Laureta Spahiu, Përgjegjëse e Komunikimit dhe Marrdhënieve me Publikun pranë FSHZH.

Në përgjigjen që ajo i dha BIRN me email bëhet e ditur se më pesë Korrik 2019 është kryer një kontroll me specialist të shoqërisë mbikqyrëse të punimeve, “Taulant” dhe shoqërisë “Salillari” që kreu punimet, ku mësohet se janë vërejtur problematika që lidhen nga mos respektimi i sensit të lëvizjeve nga një krah i mjetejeve dhe lëvizjet e mjeteve të tonazhit të rëndë dhe lëvizjet e mureve mbajtëse ekzistuese.

Në këtë linjë qëndron dhe Eugen Kallfani, Drejtor pranë Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Berat. “Defektet që po shohim, të cilat unë si titullar i kam raportuar, (vijnë) si rrjedhojë e përdorimit të keq të atij aksi, ku po kalojnë makina në mënyrë të pakontrolluar, të cilat lëvizin me shpejtësi, me tonazh mbi normën e lejuar në të dy krahët”, tha Kallfani për BIRN.

Si një specislit i fushës, Kallfani, shprehet se ajo rrugë është projektuar vetëm për kalimin e mjeteve të rezidentëve në kala, të taksive, mjeteve të ndihmës së parë si ambulanca, apo policia, ndërkohë që aktualisht kalojnë mjete në të dy krahët e saj.

Përplasje edhe për riparimet

Një raport i kompanisë që supervizoi punimet dhe firmës sipërmarrëse porpozon për zgjidhje përdorimin e llaëit. Raporti thotë se duke qenë se kalldrëmi është bërë me teknikën e vjetër dhe me gur të thyer, prania e fugave (hapësirave) nuk shmanget.

“Referuar zbatimit, projektit dhe specifikimeve teknike, guri që do të përdorej në kalldrëm nuk duhet të ishte i prerë, por i thyer dhe për përshtatje me të mëparshmin, ndaj ashtu u bë. Si rrjedhojë në mes të gurëve do të ketë fuga, të cilat nuk sjellin defekte në rrugë, por për rritjen e qendrueshmërisë është (duhet) forcimi me llaç çimento në çdo dy apo tre rreshta në bazë dhe anësore”, thuhet në raport.

Por Eugen Kallfani, Drejtor pranë Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Berat, kundërshton ëdo ndërhyrje me beton në kalldrëm. Kallfani i tha BIRN se rikonstruksioni i bërë duke përdorur teknikën e vjetër, nuk lejonte përdorimin e betonit.

“Kalldrëmi është ribërë sipas teknikës së vjetër që ka pasur si qëllim në vetvete eleminimin e shtresës së betonit, ndaj dhe ne nuk e kemi lejuar këtë gjë”, tha Kallfani./ reporter.al

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re