Në 26 prill 2021, një ditë pas zgjedhjeve parlamentare, në Shqipëri do të nisë stërvitja më e madhe ushtarake në historinë e shtetit “Defender Europe 21” ndërsa trupat do të zbarkojnë disa ditë para. Në këtë stërvitje nën udhëheqjen e ushtrisë amerikane, ku do të demostrojë aftësitë ushtria shqiptare, do të marrin pjesë mijëra ushtarë të vendeve anëtare të NATO-s, 10 anije, 18 avionë, 19 helikopterë, 6 sisteme raketash patriot dhe 1000 automjete joluftarake.

Për lejimin e stërvitjes së përbashkët ushtarake dhe lejimin e kalimit të trupave në territorin tonë, qeveria ka dërguar një projektligj të posaçëm për miratim në Kuvend. Ligji duhet të miratohet dhe të hyjë në fuqi para zgjedhjeve parlamentare.

Stërvitja do të zhvillohet në periudhën 26 prill – 20 qershor 2021, në Komandat e Forcave Tokësore, Ajrore dhe Detare, në garnizonin “Skënderbej”, në bazën ajrore të Farkës, në bazën ajrore të Kuçovës dhe në poligonet stërvitore të Bizës e Fekenit, si dhe në rrugëkalimet ajrore e tokësore për në këto rajone. Komanda e Ushtrisë Amerikane në Evropë ka planifikuar të të dislokojë në vendin tonë përafërsisht 3100 efektivë për zhvillimin e stërvitjeve.

Strukturat dhe elementët e parë të ushtrisë amerikane do të fillojnë të zbarkojnë në Shqipëri që në fillim të muajt prill 2021, për përgatitjen infrastrukturës logjistike për  ngritjen e kampeve fushore në të gjitha vendet e dislokimit dhe terrenet stërvitore të ofruara nga ushtria shqiptare.

Ndërkaq, në stërvitje do të marrin pjesë 3.1 mijë trupa ushtarake, ndërsa mijëra të tjerë do të kalojnë nëpër territorin e Shqipërisë. Në stërvitje do të marrin pjesë forcave aleate dhe partnere, si: Kanadaja, Bosnjë dhe Hercegovina, Kroacia, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Britania e Madhe, Çekia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Gjeorgjia, Turqia etj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re