VALENTINA MADANI/ Paraqitja e drejtueses së re të SHISH në Komisionin e Sigurisë ndezi dje debatet mes opozitës dhe mazhorancës për çështjen e Kosovës.

salianji shishshish

Edhe pse ishte thirrur për të analizën vjetore, si dhe për t’u ballafaquar me opozitën, raportimi i parë i Vlora Hysenit ka dështuar, pasi mbledhja është shtyrë për një moment të dytë. Debatet u ashpërsuan pasi deputeti Ervin Salianji, kërkoi që mbledhja të bëhej me dyer të hapura. Pas ndërprerjes së parë, deputetët u rikthyen në komision, ku socialistët votuan për seancë me dyer të mbyllura, çka shkaktoi përplasje të forta. Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Nasip Naço, mbylli seancën, ndërsa njoftoi se në mbledhjen e radhës do të lejohen vetëm deputetët që kanë certifikatë sigurie, duke lënë kështu jashtë disa ligjvënës të opozitës. Pas anulimit të seancës Salianji tha për mediat se ishin disa shqetësime të opozitës për figurën e Hysenin si lidhjet e saj me Serbinë dhe udhëtimi i përmendur në media në Beograd pak përpara pëprlasjeve në Kosovë. Vlora Hyseni do të raportojë në Komisionin e Sigurisë për punën e institucionit që drejton, por edhe për Kosovën.

DEBATET

Seanca në Komisionin e Sigurisë e cila u anulua, u zhvillua me debate të ashpra. Deputeti Ervin Salianji në pyetjet e parashtruara për drejtuesen e SHISH Vlora Hyseni, theksoi se ky institucion është mbushur me militantë të PS. Gjithashtu ai u shpreh se shqetësimi i tij lidhet në raport me dy çështje të rëndësishme që janë hedhur në publik për drejtoreshën e re të SHISH, nëse shkarkimi nga agjencia e inteligjencës eshte bere për shkak të lidhjeve me Serbinë. Salianji ngriti shqetësimin për mosdëshkimin e punonjësve të përfshirë në korrupsion, duke theksuar se informacione të deklasifikuara shtetërore përdoren për shantazh.

Këtu ndërhyri menjëherë Nasip Naço duke fikur mikrofonin me argumentin se nuk mund të bëjë pyetje që përmbajnë sekret shtetëror. “Ka një shqetësim shumë të madh për ne, ka pasur një shpartallim institucional kur drejtohej nga drejtuesi i komanduar. Kemi pasur kontakte që drejtuesit profesionistë të SHISH janë zëvendësuar me drejtues militant, a ka një plan drejtoresha për këto? A do të zhbëjë kulturën e mosndëshkimit për punonjësit që përfshihen në korrupsion. Ne këtu e kemi detyrim në rastin kur informacione të deklasifikuara shtetërore përdoren për shantazh. Ju jap rastin po të doni”, tha Salianji.

Pasi doli nga mbledhja e Komisionit parlamentar të Sigurisë, Ervin Salianji tha për mediat se drejtues të SHISH janë kapur duke bërë shantazh dhe se askush nuk guxon që t’i mbyllë gojën deputetëve të opozitës. Gjatë fjalës së tij, Salianji tregoi çështjet për të cilat ka ngritur shqetësim në këtë komision, për të cilat tha se nuk ka marrë përgjigje nga kryetarja e SHISH, Vlora Hyseni. Më tej në komunikimin e tij me gazetaret theksoi:

“Drejtuesi i komisionit dhe PS mendon siç mendon me njerëzit mendon që mund ta bënte me ne, sikur e kanë pronë të vetën dhe sillen si mësues fshati për të përcaktuar rregullat e mirësjelljes në komision. Në komision shqetësimi jonë është në raport me dy çështje të rëndësishme që janë hedhure në publik për drejtoreshën e re të SHISH, për të cilën pyeta nëse ka pasur shkarkimi nga agjencia e inteligjencës për shkak të lidhjeve me Serbinë, një pyetje që mori të gjithë atë sherrnajën e deputetëve të mazhorancës. Pyetja e dytë shqetësuese është që a ka pasur para gjatë apo në kohën kur ushtron detyrën si drejtuese e SHISH udhëtim në Beograd. Shqetësimi i tretë ka të bëjë me masakrimin e SHISH duke larguar profesionistë dhe duke e mbushur institucionin me militantë të PS.

Shqetësimi i 4 ishte që persona konkretë të atij shërbimi janë kapur po nga SHISH apo shërbime të shteteve partnere duke bërë shantazh duke shitur informacion dhe për këtë po e pyesja me iniciale nëse do të marrë fund pandëshkueshmëria në atë institucion. Për këto nuk morëm pyetje. U mbyll mbledhja, do të zhvillohet prapë. Por nuk ka mësues fshati që i mbyll gojën opozitës. Mbledhja e djeshme u mbyll për shkak se po flisja unë. Për pajisjen me certifikatë sigurie deputetet e opozitës i kanë. Janë bërë kërkesa për tu pajisur me certifikatë të reja, duhet që institucionet të reagojnë në mënyrë të shpejt. I vonojnë qëllimisht certifikatat e sigurisë për të thënë që nuk ka certifikatë. Unë sapo kam aplikuar për certifikatë të re”.

DEBATE NË KOMISIONIN E SIGURISË

Ervin Salianji: Më jep fjalën…
Nasip Naço: Ja kam dhënë zonjës fjalën dhe kur të mbarojë ajo do flasësh.
Ervin Salianji: Më lër të shpjegoj..
Nasip Naço: E latë me dyer të mbyllura, le të shpjegojë zonja…Seanca do vazhdojë
me dyer të mbyllura.
Ervin Salianji: Më jep fjalën mua…
Nasip Naço: 3 minuta shpjegim zonja dhe pastaj do vazhdojë.
Ervin Salianji: Nuk e bëni ju si ju do qejfi. Më jep fjalën këtu, hape.
Nasip Naço: Po jo mo…
Ervin Salianji: Hape se do ta…
Nasip Naço: Ti kujton se më lëviz ndonjë qerpik mua?
Ervin Salianji: Po ti kujton se…. po mirë pra s’ke për të bërë mbledhje. S’ke për të
bërë mbledhje pra. Shko bëje në sallë tjetër. Me kë talleni ju këtu? Ç’a e dini?
Nasip Naço: 5 minuta pushim, seanca do vazhdojë me ata që kanë certifikatë sigurie
në përputhje me ligjin. Nuk e shkel ligjin. Unë personalisht nuk e shkel. Kështu që 5
minuta pushim, kush nuk ka certifikatë ju lutem duhet të largohet nga salla.
Edhe pas pushimit, mbledhja nisi me debate mes deputetit të PD Salianji dhe kryetarit të komisionit Nasip Naço. Ky i fundit e mbylli mbledhjen pasi nuk ishte kuorumi i
nevojshëm i deputetëve me certifikate sigurie dhe njoftoi se takimi i radhës për të
raportuar kryetarja e SHISH do të bëhet pas disa muajsh.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re