Skip to content

“Dëgjojmë çështjet që ngrenë protestuesit, qeveria duhet të dëgjojë qytetarët”, Marta Kos: Dialogu duhet të ekzistojë! Rama: Shi apo diell, ne do të vazhdojmë para!

Capture 303

Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka përcjellë një mesazh lidhur me protestat dhe shqetësimet e ngritura nga shoqëria civile në Shqipëri, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama.

Duke folur për procesin e integrimit europian, Kos theksoi se reformat duhet të zbatohen siç duhet në të gjitha fushat, ndërsa nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së qytetarëve në këtë proces. Ajo u shpreh se kishte diskutuar edhe me përfaqësues të shoqërisë civile dhe se çështjet e ngritura prej tyre, përfshirë ato që lidhen me protestuesit, duhet të trajtohen përmes dialogut.

“Udhërrëfyesit që kemi përgatitur janë shenjë se Shqipëria do t’i arrijë rezultatet. Ne duam të punojmë për vendet kandidate, por rruga nuk është e lehtë. Do të ketë luhatjet e veta për çdo vend kandidat. Për sa kohë diskutojmë edhe çështjet që lindin dhe ato që ngrihen nga protestuesit, përfaqësues të shoqërisë civile, me të cilët pata sot një takim, dialogu është ai që duhet të ekzistojë”, deklaroi Marta Kos. Komisionerja europiane theksoi gjithashtu se ky mund të jetë viti më vendimtar për Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Europian, duke nënvizuar nevojën për gjithëpërfshirje dhe zbatim të reformave.

Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama foli për sfidat me të cilat është përballur qeverisja e tij gjatë viteve të fundit, duke përmendur tërmetin, pandeminë dhe luftën, të cilat sipas tij kanë detyruar ndryshimin e planeve dhe prioriteteve. Rama u shpreh se nuk merret me atë që nuk ka në dorë, ndërsa përdori një histori të trajnerit të futbollit Loro Boriçi për të ilustruar qëndrimin e tij.

“Fati e ka sjellë që unë të kem të bëj në këtë detyrë me gjëra të rënda që nuk i ka askush në dorë. Tërmeti. Bie tërmeti dhe duhet të rikonceptosh gjithçka që duhet. Vjen pandemia, duhet të rimendosh gjithçka që ke planifikuar, se nuk e planifikoje dot. Plas një luftë larg nga këtu dhe vjen rritja e çmimit të energjisë dhe duhet të rikonceptosh çfarë ke planifikuar. Ngjarjet nuk i planifikojmë dot. Nuk mendoj fare për çfarë nuk kam në dorë”, u shpreh Rama.

Më tej, kryeministri iu referua një episodi të Loro Boriçit gjatë një udhëtimi në Kinë, ku ky i fundit, përballë shiut, ishte shprehur se secili duhet të vazhdojë të bëjë punën e vet. “Vazhdoj me sloganin e Loro Boriçit kur shkoi në Kinë t’u mësonte futbollin dhe ra shi. Ai tha: ‘Ku po shkoni? Shiu ka punën e vet, ne tonën’. Dhe ne ashtu do ta bëjmë. Shi apo diell, se kemi ne në dorë. Por dera e BE-së sot është e hapur”, deklaroi kryeministri. Ndërkohë, Marta Kos uroi shqiptarët për 28 Nëntorin, duke vlerësuar rrugëtimin e vendit nga izolimi drejt demokracisë, anëtarësimin në NATO dhe perspektivën europiane. Ajo theksoi se energjia e qytetarëve që besojnë te e ardhmja europiane mund të sjellë rezultate të rëndësishme për Shqipërinë.