Shumë qytetarë kanë parë me sytë e tyre, sesi spitali modular i Tetovës u pushtua nga flakët, teksa brenda tij kishte britma nga pacientët e shtruar.

Alsat ka marrë disa prononcime nga banorët e Tetovës që qenë dëshmitarë të tragjedisë së djeshme.

“Mbrëmë kemi parë një tragjedi të cilën nuk e kemi parë që 40 vite në këtë lagje. Jetoj këtu afet, t’ju them të drejtën jam pa gjumë, sikurse e dhe ju, me siguri gjithë natën keni bërë hulumtime. Kjo si ngjarje që kam parë unë, ka ndodhur diku ora 21:04 ose 21:05 minuta, në këtë moment dikush është lajmëruar, ka njoftuar organet kompetente, zjarrfikësit, policinë. Në ora 21:10 minuta kam qenë këtu afër diku, dy të parat veçmë se ishin të djegura…zjarrfikësit ishin në vendngjarje, aq sa kanë mundur ata ta bëjnë punën e vetë… Kemi ndihmuar familjarët me ujë me diçka, u munduam që të ndihmojmë të shpëtojmë, por ata që kanë shpëtuar kanë ndihmuar veten, kanë pas fuqi dhe kanë dalë, sepse e dimë që kanë qenë në oksigjeno terapi”, u shpreh një dëshmitar.

“Jam shumë i tronditur! Nuk e di deri ku do të shkojë, ky shtet si do të funksionojë kështu. Më vjen keq për njerëzit që jetojnë këtu. Unë jam mysafir jam këtu në pushim. Më vjen keq për njerëzit që jetojnë këtu. Kjo është skandal!”, thotë një tetovar i cili jeton në emigrim.

“Isha brenda në oborr. Dëgjuam disa britma njerëzish, çfarë ishte…Nuk i dhashë rëndësi, thash fëmijët janë. Kur pas 10 minutave dëgjova se është djegur spitali. Zjarr i madh. Britma të mëdha kanë qenë, tragjedi. Pas 10 minutave a kishte vetura të zjarrfikësve? Po po kishte”, thotë një qytetarë i Tetovës.

“Me sy kur erdha unë vetëm flakën e pashë, tymin. Prej nga ura poshtë e pash tymin. Dmth shumë tym, shumë lartë, dmth edhe era vinte deri poshtë. 30 metra lartë zjarri. Katastrofë ka qenë, ulërime e madhe pikëllim e madhe”, tha një dëshmitar.

Ndërkohë një tjetër dëshmitar hedh dyshime se mos vallë zjarri ka qenë i qëllimshëm.

“Jam jashtëzakonisht i shqetësuar, kjo nuk përshkruhet me fjalë, mendoj mos është e qëllimshme. Në rast se është e qëllimshme, nuk është e njerëzishme… Se njëherë gypat i prenë për aspiratorët, e tash kjo e dyta…”,  u shpreh ai

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re