Skip to content

Deklarata e fortë e BE, që rrëzon çdo justifikim: Brukseli mbështet zyrtarisht “Ballkanin e hapur”

Bashkimi Europian mbështet zyrtarisht projektin e “Ballkanit të hapur”.

Kjo është shprehur nga komisioneri i Zgjerimit të Bashkimit Europian, Oliver Varheleyi, gjatë fjalës së mbajtur në takimin që po mbahet në Tiranë.

Ai tha se “Ballkani i hapur” është një nismë që do të ndihmojë jo vetëm ekonominë, por edhe paqen në rajon, ndaj BE e mbështet atë.

Për këtë arsye, ai ka ftuar edhe tri vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, që t’i bashkohen kësaj nisme.

“Unë jam nga Hungaria dhe kjo më jep një nivel më të afërt të kuptimit si mund të ndihmojmë Ballkanin.

Për të qenë i ndershëm kam qenë i prirur pozitivisht ndaj këtij propozimi.

Ju vazhdoni ta nxisni këtë nismë sepse rajoni kërkon që të jetë një i tërë sa i takon ekonomisë dhe shoqërisë.

Rajoni kërkon që të jetë bashkë, sikur jemi ne në BE.

Admiroj edhe faktin edhe sa e ndjeni këtë nismë. Ka qenë një nismë që vjen nga Ballkani.

Nuk është BE që doli me këtë nismë, por erdhi prej jush, tre aktorëve që shoh rreth tryezës dhe ju vazhduat të shtynit përpara edhe kur ne nuk arritëm që të tërhiqnim pjesëmarrjen e të gjithë partnerëve, sepse ju kuptuat rëndësinë e tregut rajonal dhe mënyrën sesi mund të përshpejtojë integrimin ekonomik.

Ne mendojmë se ky është mesazhi më i mirë që rajoni mund të përçojë se jo vetëm se është gati për bashkëpunim rajonal, por po e bën.

Mund të më përfshini si mbështetës të Ballkanit të hapur.

I ftoj tre partnerët e tjerë t’i kthehen këtij bashkëpunimi rajonal” tha ai.

“Më lejoni t’ju citoj zoti Rama, vetëm nëpërmjet tregut të përbashkët rajonal, Ballkani mund të rrisë 1/3 e prodhimit të brendshëm bruto.

2/3 e mbetur mund të arrihet përmes një përplotësuesi që është plani ekonomik i investimeve që është i ofruar nga Bashkimi Evropian.

Ju duhet të vazhdoni dhe tre të tjerët duhet t’ju bashkohen, pasi plani ekonomik i investimeve mund të rrisë PBB-në e rajonit vetëm nëse të gjithë janë pjesë e këtij plani”, vijoi ai.

Varheleyi theksoi se “Ballkani i hapur” është vazhdim i “Procesit të Berlinit”, duke përgënjeshtruar kështu zëra të tillë si Albin Kurti, që thotë të kundërtën, duke e përdorur si justifikim që Kosova të mos i bashkohet kësaj nisme.

Deklarata e zyrtarit të lartë të BE-së, tashmë rrëzon çdo justifikim, për vendet që nuk i bashkohen “Ballkanit të hapur”.

Aq më tepër që kjo nismë ka mrrë edhe mbështetjen e SHBA.