Shkrimtari dhe publicisti i njohur, Kim Mehmeti, jo gjithnjë ka qenë ky që njohim sot.

Konstatimet e tij politike kanë ndryshuar me vitet duke mbajtur qëndrime nga më të shumtat për personazhe të njëjtë.

Edhe pse sot ngjalli çudi argumenti i tij se “lista e zezë” e SHBA ku u fut Sali Berisha për të ishte “listë nderi”, më herët Mehmeti ka menduar ndryshe për ish kryeministrin.

Para punës në organet mediatike të familjes Berisha përkatësisht “ZeniTv dhe Zeni.net”, analisti ka dhënë një intervistë për gazetën sot ku sipas tij, Zogu dhe Enveri përdorën serbët për të mbajtur pushtetin, ndërsa Sali Berisha u orientua nga grekët.

-Cili është mendimi juaj për Ahmet Zogun, Enver Hoxhën dhe Sali Berishën?

Këta tre burrështetas shqiptarë kanë të veçantat e veta, kanë meritat që duhen pranuar, njësoj siç kanë edhe një ngjashmëri: shumëçka dëshmon se më shumë e donin pushtetin, se sa shtetin dhe popullin e tyre! Duke qenë të tillë, veprimtarinë e tyre mund ta ndash në dy periudha: në atë që ia përkushtuan popullit dhe Shqipërisë dhe në periudhën që ia përkushtuan mbetjes me çdo kusht në pushtet, duke flijuar shumëçka që ka të bëjë me interesin mbarëkombëtar! Kjo periudha e dytë, ata i bëri që si patericë për mbetjen në pushtet, të përdorin edhe miqësitë me shtetet fqinje, apo me ndonjë aleat të jashtëm. Me çka e humbën lidhjen me popullin dhe jetonin në ishullin e vetëgënjimit, se ata janë e mira e vetme e shqiptarisë. Kështu që Zogu binte e kthehej në fron me ndihmën e mbretërve serbë, Hoxha dobësohej e forcohej varësisht nga disponimi i “milladinëve” e më vonë nga ai i Rusisë apo Kinës, e Berisha, më me rëndësi e kishte ta pëlqenin grekët apo diplomatët e huaj, se sa populli i vet! Është e dhimbshme, por sipas meje e vërtetë: shqiptarët kudo që janë, ende sundohen nga ata që janë më të pëlqyer nga qarqet joshqiptare! Nuk kam me çka ta dëshmoj këtë, përpos me një të vërtetë: nëpër kabinetet e politikanëve tanë, nuk sheh atë që e has në gjithë botën; fotografitë e më të dashurve të tyre, por ato me figurat e famshme të politikës botërore. Me çka na e përcjellin porosinë: ju mund të mos na pëlqeni, por neve na pëlqejnë liderët me famë botërore!

-Cili është mendimi juaj për Edi Ramën dhe si e shihni politikën e tij për shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë?

Nuk e njoh politikanin Edi Rama aq sa duhet. Atë e njoh nëpërmjet paraqitjeve publike si dhe nëpërmjet shkrimeve të tij të mrekullueshëm publicistik të viteve të pas rënies së enverizmit. Mendoj se Edi Rama e ka më lehtë se cilido kryeministër i deritanishëm i Shqipërisë, sa i përket drejtimit të vendit. Mjafton të bëjë të kundërtën e asaj që bënin paraardhësit e tij, që të jetë i suksesshëm. Pra, mjafton që të mos tentojë që nëpërmjet grindjeve ndërpartiake, t’i mbulojë mossukseset e tij si kryeministër, mjafton ta departizojë Shqipërinë, që vendin t’ua kthejë gjithë shqiptarëve, që t’i bindë shqiptarët se partia fituese në zgjedhje merr në dorë drejtimin e shtetit, e jo “tapinë” si pronare e Shqipërisë, të fillojë të kultivojë bindjen se shteti, e jo pushteti është ai që duhet mbrojtur, të ndërtojë institucione shtetërore që nuk do jenë në shërbim të partisë në pushtet, por që do u shërbejnë të gjithë shqiptarëve. Dua të besoj se Edi Rama e ka kuptuar se më lehtë është të sundosh me të tjerët, se sa të mbash pushtetin mbi vetveten! Besoj se e ka kuptuar, se sa më shumë njeriu sundon me të tjerët, aq më shumë e humb pushtetin mbi vetveten, duke u bërë kështu njeri që e humb edhe kontaktin me realitetin! Ramës, tani i mbetet të zgjedh mes dy gjërave: o ta forcojë vetveten dhe partinë që drejton, me çka do e zgjedh fatin e paraardhësve të vet të cilët e gllabëruan ardhmërinë e vendit, o të ndërmarrë edhe masa shkaku që humbësh pikë politik, por që do e forcosh Shqipërinë, që do e bëjnë Shqipërinë mëmëdhe me të cilin do krenohen të gjithë shqiptarët, që do e bëjnë Shqipërinë shtet të cilin të gjithë shqiptarët do e ndjejnë si ombrellë, e cila i mbron dhe i bënë më të fortë ata.(TemA)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re