Skip to content

Deklarata e rrezikshme e Sergej Lavrovit për Kosovën

Situata aktuale në Kosovë është shqetësuese, një “shpërthim i madh” po ndodh në qendër të Evropës, tha shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov.

“Një ‘shpërthim i madh’ po përgatitet në qendër të Evropës, në të njëjtin vend ku NATO kreu agresion kundër Jugosllavisë në vitin 1999, duke shkelur të gjitha parimet e imagjinueshme të Aktit Final të Helsinkit dhe dokumenteve të tjera të OSBE-së. Situata është shqetësuese, por Perëndimi ndjek një politikë për të nënshtruar të gjithë ata që në njëfarë mënyre shprehin mendimin e tyre”, u tha Lavrov gazetarëve.

Kësaj deklarate të rrezikshme të Sergej Lavrovit i ka paraprirë shpallja e destabilizimit të sotëm në Kosovë nga Aleksandar Vuçiq, i cili tha për TV Pink: “Situata më e vështirë në Kosovë është para nesh. Diçka që nuk e kemi parë më parë. Do të ndodh diçka që nuk mund ta kishim ëndërruar, e gjitha kjo falë veprimeve provokuese dhe sjelljes tmerrësisht të papërgjegjshme të Kurtit”, tha presidenti serb.

Vuçiq paralajmëroi mundësinë e “madje edhe konflikteve të mëdha”.

“Unë e di që serbët nuk mund ta tolerojnë këtë dhe e di që ky tjetri që shkaktoi gjithçka, nuk dëshiron të tërhiqet as për jetë. Ai dëshiron shumë, ëndërron dhe fantazon të jetë Zelensky”, tha Vuçiq.

Një numër i madh i pjesëtarëve të KFOR-it me pajisje për të prishur demonstratat janë vendosur që nga mëngjesi i sotëm pranë ndërtesave komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Pas tyre qëndrojnë forca të forta të policisë së Kosovës të cilët nuk i lejojnë serbët e grumbulluar të afrohen pranë objekteve.

Disa qindra elementë kriminalë serbë u mblodhën para ndërtesave komunale në veri të Kosovës dhe kërkojnë tërheqjen e policisë dhe kryetarëve të sapozgjedhur shqiptarë.