Ministri i Diasporës, Pandeli Majko e konsideroi të papërgjegjshëm deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ku theksoi se në rast të mosarritjes së një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, një konflikt i ngjashëm sikurse në Nagorno-Karabak, mund të ndodhte mes dy vendeve.
Përmes një postimi në “Facebook”, Majko shkruan se deklarimi i Vuçiç për “konfliktin e ngrirë” është shmangie e deklaratës së firmosur në Shtëpinë e Bardhë dhe procesit të integrimit europian.
“Deklarimi i Presidentit të Serbisë për karakterizimin e marrdhënieve me shtetin e Kosovës me statusin e konfliktit të ngrirë të Nagorni Karabakut është i papërgjegjshëm! Jeta e dyfishtë e Serbisë në marrdhëniet ndërkombëtare është rreziku real për stabilitetin rajonal! Presidenti Vucic përcaktoi se konflikti me shqiptarët nuk ka mbaruar ende dhe e konsideron atë “të ngrirë” (!) Deklarimi i Presidentit serb për “konfliktin e ngrirë” është shmangie e deklaratës së firmosur në Shtëpinë e Bardhë dhe procesit të integrimit europian. Mendje të ftohta logjistike në Serbi e kuptojnë gatishmërinë e shqiptarëve në disa shtete në se dikush i shkon pas idesë se skenarit të konfliktit. Atij do ti dihet fillimi por jo fundi!”