Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, e ka quajtur absurde dhe për të ardhur keq deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i cili tha se Sllovenia ka shkelur integritetin territorial të Serbisë duke njohur pavarësinë e Kosovës.

“Ne jemi mësuar të dëgjojmë deklarata të tilla nga Serbia, të cilat herë dalin jashtë kontekstit, herë pak me qëllim. Por është e vërtetë që kemi reaguar. Presidenti Borut Pahor u përgjigj, ashtu si edhe Ministria jonë (e Punëve të Jashtme)”, tha ajo.

“Këtu duhet theksuar edhe një herë se kur bëhet fjalë për interesat e shtetit slloven, ato duhet të mbrohen. Ishte një deklaratë shumë absurde, për fat të keq”.

Fajon theksoi se Sllovenia ka marrëdhënie të mira me Serbinë.

“Presidenti serb do të jetë në Slloveni javën e ardhshme dhe do të jetë në gjendje të thotë më shumë,” shtoi ajo.

Gjatë vizitës së fundit të Pahorit në Beograd, Vuçiç, i pyetur pse nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë, tha se nuk di t’i shpjegojë popullit se Serbia po vendos sanksione ndaj Rusisë dhe jo Sllovenisë.

“Rusia nuk e ka shkelur integritetin territorial të Serbisë, Sllovenia e ka shkelur dhe ne shohim se kemi marrëdhënie të mira me Slloveninë”, tha presidenti i Serbisë.

Pas kësaj deklarate ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, e cila ka ftuar për intervistë ambasadoren e Serbisë në Lubjanë.

Ministria e Punëve të Jashtme deklaroi se janë të befasuar nga deklaratat e Vuçiçit dhe se qëndrimin e tyre për Kosovën ua kanë përcjellë edhe një herë autoriteteve në Beograd. //

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re