Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka bërë të ditur se 30 ushtarë janë lënduar dje gjatë trazirave në Zvrçan.

Numri i paqeruajtësve të lënduar gjatë dhunës së paprovokuar të djeshme në komunën e Zveçanit është 30, prej të cilëve 11 ushtarë të kontingjentit italian dhe 19 të kontingjentit hungarez kanë pësuar lëndime të shumta, duke përfshirë djegiet nga mjetet ndezëse shpërthyese të improvizuara.

Tre ushtarë hungarezë u plagosën nga përdorimi i armëve të zjarrit. Lëndimet e tyre nuk janë të rrezikshme për jetën.

“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO ka rritur praninë e tij në katër komuna në veri të Kosovës për të zvogëluar rrezikun e përshkallëzimit, pasi kryetarët e sapozgjedhur të komunave tentuan të marrin detyrën. Trupat e KFOR-it më vonë u sulmuan nga një turmë gjithnjë e më agresive. KFOR-i vepron gjithmonë me vendosmëri dhe përmbajtje, brenda Rregullave strikte të Angazhimit (ROE). Në këtë rast, ai iu përgjigj sulmeve të paprovokuara të një turme të dhunshme dhe të rrezikshme, duke e kryer mandatin e tij të Kombeve të Bashkuara në mënyrë të paanshme”, ka thënë KFOR-i.

Shtohet se komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, po ndjek personalisht zhvillimin e situatës dhe shpreh solidaritetin me ushtarët e NATO-s të lënduar gjatë konfliktit dhe familjet e tyre.

“Për të shmangur konfliktet mes palëve dhe për të zvogëluar rrezikun e përshkallëzimit, forcat paqeruajtëse të KFOR-it parandaluan kërcënimet ndaj jetës së serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Të dyja palët duhet të marrin përgjegjësinë e plotë për atë që ndodhi dhe të parandalojnë çdo përshkallëzim të mëtejshëm, në vend që të fshihen pas narrativave të rreme”.

U theksua se KFOR-i do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga viti 1999.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re