Kryeministri Edi Rama është përfshirë në replika me Rrjetin “SafeJournalists” lidhur me deklaratat e tij për Radio Televizionin Shqiptar.

“Po bëhet një model fatkeq i kësaj epoke të re të dembelizmit të shfrenuar ndaj dëgjimit të asaj që të tjerët thonë realisht, që të përballesh me deklarata si ajo e bashkëngjitur, të cilat pasqyrojnë një keqkuptim thellësisht të shtrembëruar të qëndrimit tim lidhur me Transmetuesin Publik Shqiptar.

I ftoj autorët e kësaj deklarate keqinformuese të lexojnë ose të dëgjojnë me kujdes fjalimin tim dhe të bëjnë një përpjekje të sinqertë për të kuptuar thelbin e çështjes. Vërejtjet e mia nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me “lidhjen e financimit apo ekzistencës së RTSH-së me miratimin politik”. Çdo interpretim i tillë është thjesht i pasaktë dhe mashtrues.

Mbrojtja informacionit fillon duke mos përhapur dezinformim.

Mbrojtja e informacionit fillon duke mos përhapur dezinformim”, shkruan Rama.

Në një deklaratë SafeJournalists “paralajmëron se lidhja e financimit ose e vetë ekzistencës së RTSH-së me miratimin politik minon pavarësinë e saj dhe paraqet rreziqe për lirinë e medias. Ai thekson se mediat e shërbimit publik duhet të vlerësohen përmes reformave transparente dhe të bazuara ligjërisht, dhe jo përmes retorikës politike, veçanërisht në kontekstin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ku liria e medias dhe pavarësia institucionale janë standarde kyçe”.

Tre ditë më parë, Rama tha se Televizioni Publik Shqiptar ka dështuar. Ai u shpreh se “bilanci i televizionit publik është dështim i suksesshëm”.

“Kemi tentuar që të krijojmë kushtet që televizioni publik të reformohet dhe kemi dështuar me suksesin më të plotë. Nuk di çfarë do bëjë drejtuesja e re, por deri tani bilanci i televizionit publik është dështim i suksesshëm. Që do të thotë nga borxhi në borxh”, deklaroi numri një i kabinetit.

“Mendoj që çdo opsion duhet të jetë në tavolinë, edhe mbyllja përfundimtare, edhe privatizimi, edhe partneriteti, edhe çdo gjë përveç kësaj që është. Por unë nuk marr pjesë në këtë, siç nuk marr pjesë në asnjë lloj tentative për të rregulluar median. E bëra këtë “aventurë”, një “aventurë” thjesht dhe vetëm për pak gjëra dhe i mbeti Shqipërisë atje, ai paragrafi, drafti i ligjit për mediat. Ndërkohë që sot BE-ja diskuton shumë më tepër se aq, por unë nuk merrem as me televizionin publik, as me median online. Ju që vuani shpifjet e tyre, merruni. Unë personalisht e kam marrë parasysh që ata këtë punë kanë”, shtoi ai më tej.

Sipas Ramës, vetë RTSH-ja duhet të bëjë reformë. Ai paralajmëroi se qeveria nuk do t’i japë televizionit publik asnjë para, derisa ajo t’i meritojë ato.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re