Deputeti i PD, Agron Shehaj në një intervistë për Panorama TV ka komentuar fushatën zgjedhore të 14 majit nga mazhoranca dhe opozita, ku tha se PD po garon në kushte të pabarabarta me PS.

Shehaj tha se deklaratat e kryeministrit Edi Rama se nuk do bashkëpunojë me bashkitë ku fiton opozita janë një kërcënim i pastër për elektoratin dhe se fjalori i tij është tipik ‘rrugaçi dhe hajduti’.

“Fatkeqësitë më të mëdha në këtë vend janë bërë nga hajdutët dhe rrugaçët. Nuk ka kryeministër në botë që të flaës kështu”, tha ai.

Sakaq shtoi se kandidati i vetëm që ka një plan konkret për qytetarët në këto zgjedhje është Belind Këlliç dhe se premtimet e tij janë lehtësisht të realizueshme.

Pjesë nga intervista:

“Mohimi i të drejtës së anëtarëve të PD për të dalë më simbolin historik të partisë, pabarazia e financave dhe dalja në media. Elementi kryesor është vendimi për ti hequr PD simbolin e partisë. Ka gjithmonë terren nëse ti synon të denigrosh, të zhdukësh partinë opozitare”.

Deklarata e Ramës se nuk do pranojë kandidatët e opozitës?

Nuk kuptoj se pse merremi me ofendimet dhe shpifjet e Ramës. Fatkeqësitë më të mëdha në këtë vend janë bërë nga hajdutët dhe rrugaçët. Nuk ka kryeministër në botë që të flaës kështu.

Duhet të kishte reagim nga OSBE dhe organizata të tjera?

Patjetër që po, është një kërcënim i pastër dhe antiligjor për elektoratin.

Në disa qytetet të vendit ekziston rreziku për tensione, prezencë të grupeve kriminale. Mendoni që do tjetërsohet vullneti i qytetarëve?

Ka sigurisht një tentativë, Shqipëria është një ndër vendet më të varfra dhe të korruptuara në Europë. Shqiptarët nuk do iknin në numëra shqetësuese, është një dramë kombëtare. Nuk ka familje që nuk preket ng ai njëjti fenomen. Po ikin të arsimuar, të pasur të varfër e klasa e mesme. Shqipëria është vendi me përqindje më të lartë të personave që duan të ikin.

A rrezikohet ky proces zgjedhore?

Ajo që do ndikojë është opinioni i qytetarëve lidhur me të vetmin kandidat që ka program, Belind Këlliçi. Janë absolutisht të realizueshme premtimet e tij, të tjerët flasin për gjëra që nuk kanë lidhje. Transporti dhe urbani falas, nuk falimenton bashkinë. Është lehtësisht e verifikueshme, bashkia ka buxhet prej 250 mln euro, transporti mund të kushtojë 20 mln euro. Ky premtim mund të realizohet dhe në asnjë mënyrë nuk rrezikojnë falimentim. Qëllimi është që urbanët të përdoren më shumë, dhe jo makinën. Pavarësisht kostos, do sjellë përfitim në ndotje dhe trafik. Të gjithë pasagjerët e shtuar do shmangnin makinën.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re