Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, është shprehur se deklaratat e kryeministrit Edi Rama për mos-dhenien e fondeve për bashkitë ku fiton opozita, janë një shkelje brutale e Kushtetutës.

Komentet Bylykbashi i bëri gjatë një interviste për Panorama TV, ku tha se pushteti vendor është autonom dhe Rama ka detyrimin ligjor të japë fonde.

Ai ftoi administratën të ndëshkojnë me votë qeverinë, për të gjitha presionet që sipas tij janë ushtruar ndaj tyre me Patronazhistët dhe aplikacionin “Aktivisti”.

“Unë e ftoj administratën, kanë shansin të tregojnë neverinë e tyre me votë për presionin që u është ushtruar këtë kohë nga qeveria, me patronazhistin dhe aktivistin.

Sjellja e Ramës është një sjellje që ofendon në mënyrë të skajshme qytetarin e thjeshtë. Ai nuk mund të jetë kaq vulgar dhe të fyejë inteligjëncën e qytetarëve. Durrësi nuk ta toleron këtë lloj sjellje.

Deklaratat e Ramës që nuk do të bashkëpunojë me bashkitë e djathta, tregojnë situatën në të cilën Rama ndodhet. Është një shkelje brutale e Kushtetutës. Pushteti vendor është autonom dhe Rama ka detyrimin që të të japë fonde.

Nga ana e standarteve ndërkombëtare jemi përpara një shkeljeje tjetër. Dikush që zgjidhet duhet të marrë detyrën dhe ta ushtrojë pa u ndikuar nga askush. Kam dëgjuar lloj lloj ambasadorësh që flasin për çdo lloj gjëje dhe vetëm për këtë çështje nuk flasin”, u shpreh Bylykbashi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re