Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj, ka komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama për rritje pagash, të cilat i cilësoi si premtime elektorale, që me shumë gjasa sipas tij, mund të mos realizohen.
Komentet Shehaj i bëri gjatë një interviste për Panorama TV, ku tha se Rama kishte 8 vite kohë për të rritur rrogat, por sipas tij, ai e ka pasur fokusin te koncesionet, ndërtimi i kullave me miqtë e tij dhe sulmet ndaj mediave.
“Premtimi për pagat është një premtim që mua më duket shumë elektoral dhe ka shumë gjasa të mos realizohet. Rama ka 8 vite që mund t’i kishte rritur rrogat, por vetëm me pagat nuk është marrë, është marrë me koncesionet, me kullat për veten dhe miqtë e tij, është marrë me mediat dhe gazetarët duke i sulmuar.
Tani ka dalë me mashtrimin që thotë se unë doja t’i rrisja para zgjedhjeve, por deputetët e mi nuk deshën. Është një gënjeshtër, pasi Rama kur ka patur nevojë, ligjet për koncesionet kanë kaluar për punë ditësh dhe jo muajsht dhe nuk ka pasur asnjë shans që ndonjë deputet i maxhorancës t’i dilte kundër.
Këtu po flasim për rritjen e pagave në administratë. Jemi në zgjedhje vendore dhe unë jam i përqëndruar më shumë në atë se çfarë mund të bëjë kreu i ri i Bashkisë së Tiranës. Me duket sikur nga njëra anë kemi administrator që gënjen dhe vjedh, gjëja më e keqe që mund të ketë një administrator. Unë e shoh të pamundur konfirmimin e Velisë në krye të Bashkisë së Tiranës. Unë si zgjedhës nuk e konceptoj dot që një qytetar të zgjedhjë një politikan që vjedh dhe gënjen”, u shpreh Shehaj.
