Pas deklaratave thumbuese të kryeministrit Edi Rama për politikën e Mbretërisë së Bashkuar ndaj emigrantëve dhe ironisë së tij për ish-sekretaren britanike Suella Braverman dhe ndaj politikanit britanik Nigel Farage, mediat angleze kanë publikuar artikuj ku i përgjigjen Ramës.

 

 

“Daily Express” nënvizon se Rama kritikoi Brexit duke pretenduar se bashkëpunimi më i ngushtë përmirëson përpjekjet për të luftuar migracionin e paligjshëm ndërsa nuk kanë munguar shigjetimet edhe për Nigel Farage.

“Në fund të fundit, besoj se Farage nuk është problemi, Farage është një pasqyrë e problemeve që ka njëfarë kapaciteti teatral për të qenë tërheqës, por problemet janë diku tjetër”, citohet kryeministri Rama.

Por “Daily Express” citon një burim nga Ministria e Brendshme Britanike, i cili ishte në detyrë kur “dhjetëra mijëra” shqiptarë kalonin kanalin me gomone. “Edi Rama nuk ka idenë se për çfarë po flet.

Nëse ai do ta bënte vërtet punën e tij, shqiptarët nuk do të kishin ikur për në Mbretërinë e Bashkuar në turma. Ai duhet të shpenzojë më pak kohë duke folur në publik dhe më shumë kohë duke marrë mbrapsht numrin rekord të kriminelëve shqiptarë që mbushin burgjet tona”, tha burimi për median britanike.

Ndërsa tabloidi “The Mirror” citon kryeministrin Rama kur tha se ishte ende i zemëruar me ish-Sekretaren e Brendshme Suella Braverman. “Meqë ra fjala, ku është ajo? Thjesht mbaje mend, e di, mos u merr me shqiptarët sepse nëse shqiptarët të mallkojnë, thjesht zhdukesh”, citon “Mirror” deklaratat e Ramës.

Sipas “The Mirror”, Rama u bëri thirrje politikanëve britanikë të “mos i përmendin shqiptarët për asgjë tjetër përveçse për arsye shumë të mira”.

Kujtojmë se gjatë fjalës së tij në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë dhe Politikave Globale, që u mbajt dje në Londër, Rama e cilësoi daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian si një veprim katastrofik.

Gjithashtu Rama ironizoi  ish-sekretaren britanike, Suella Braverman, e cila gjatë mandatit të saj lëshoi akuza të rënda ndaj emigrantëve shqiptarë në Britani, duke i cilësuar ata kriminelë.

“Më kujtohen midis gjërave më të çmendura qesharake, edhe krejt të pazgjuara, ajo që u quajt ‘’referendumi i largimit’’ dhe mbaj mend që atëherë ka patur një poster me një zog të çuditshëm, të frikshëm që vinte nga Shqipëria për t’i thithur gjakun Britanisë. Premtimi ishte ’’largohuni nga Evropa dhe ata s’do të vijnë më’’. Pa gjejeni, u larguan nga Evropa dhe Shqipëria është bërë një temë edhe më e madhe, sepse unë besoj që problemi nuk janë shqiptarët, apo të huajt, apo emigrantët. Problemi është ku të gjejmë ‘’kokën e turkut’’ për këtë vendim katastrofik të largimit nga Evropa, sepse është katastrofik, kështu që unë nuk ndihem i frustruar apo i dëshpëruar. Jo. Mua më vjen keq, më vjen shumë keq dhe e thashë dhe në një takim tjetër, që kur dikush që quhej Suela (Suella Braverman), një tjetër qeveri, kur  ajo piketoi shqiptarët.. e meqë ra fjala, ku është ajo? Jo, thjesht mbaje mend, që mos u merr me shqiptarët, sepse nëse të mallkojnë shqiptarët, zhdukesh”, tha Rama.

Rama nuk kurseu  ironitë as ndaj politikanit britanik Nigel Farage, me të cilin është përplasur më herët për çështjen e emigrantëve shqiptarë në Britani.

Rama tha se Farage i kishte kërkuar të vizitonte Shqipërinë më 28 Nëntor, por ai i tha të zgjidhte një datë tjetër.

“Nigel, më mirë të gjejmë një datë tjetër, sepse nëse vjen atë ditë, do të duhet të përballesh me heroin tonë kombëtar dhe do dukesh shumë i vogël,” – tha Rama me ironi.

Rama shtoi se nuk e sheh Farage si një problem më vete, por si një produkt të klimës politike në Britani dhe të problemeve më të thella të shoqërisë britanike.

“Farage nuk është problemi, Farage është pasqyrë e problemeve. Ka një aftësi teatrale për të qenë tërheqës, por problemet qëndrojnë tjetërkund,” – theksoi Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re