James Van Der Beek, i cili u bë i famshëm pasi luajti në serialin ‘Dawson’s Creek’, vuan nga kanceri kolorektal.
Aktori 47-vjeçar e ka treguar këtë në një intervistë për revistën People, ndërsa është shprehur ende optimist për të ardhmen. “E mbajta konfidenciale diagnozën dhe mora hapa për të trajtuar sëmundjen me mbështetjen e familjes sime të jashtëzakonshme”, tha Van Der Beek, i cili gjithashtu ka luajtur edhe në serialin C.S.I. “Ka arsye për të qenë optimist dhe ndihem mirë”
Në një deklaratë të postuar në faqen e tij në Instagram të dielën, disa orë pas publikimit të intervistës, ai shkroi se kishte “marrë trajtimin që i ka përmirësuar shëndetin e përgjithshëm” dhe se synonte të fliste gjatë “për të rritur ndërgjegjësimin”.
Van Der Beek ka gjashtë fëmijë me gruan e tij Kimberly dhe njihet më së shumti për rolin kryesor në serialin televiziv “Dawson’s Creek”, i cili u transmetua nga viti 1998 deri në 2003. Së fundmi ai u shfaq si i ftuar në një episod të “Walker” dhe do të shfaqet në një film, “Sidelined: The QB”, që pritet të dalë këtë vit.