Në një fjalim në Universitetin Amerikan në Kajro, Sekretari amerikan
i Shtetit, Mike Pompeo sulmoi ashpër Iranin, duke shfaqur vizionin e
administratës së Presidentit Donald Trump për Lindjen e Mesme.

Ai bëri thirrje për t’i dhënë fund rivaliteteve të Lindjes së
Mesme për të ndalur ndikimin e Teheranit dhe i kërkoi Sirisë “që të heqë
nga territori çdo çizme iraniane”.

“Është koha t’i japim fund rivaliteteve të vjetra për të
mirën e rajonit”, tha Pompeo në kuadër të një turneu në Lindjen e Mesme,
të cilin e ndërmorri pas njoftimit të tërheqjes së ushtrisë amerikane nga
Siria.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara do të përdorin diplomacinë dhe
do të punojnë me partnerë, për të dëbuar “çizmen e fundit iraniane nga
Siria” dhe për të rritur përpjekjet për të “siguruar paqen dhe
stabilitetin për popullin e shumëpritur sirian”.

Pompeo e quajti politikën e paraardhësit të Trump, Barak Obama,
si të gabuar, duke deklaruar se ai uli rolin e Amerikës në rajon dhe inkurajoi
armikun e tij më të madh – Iranin.

Ai shtoi se Obama ishte naiv kur u përball me sfidat pas
rebelimit që shpërtheu në Lindjen e Mesme dhe Egjipt, duke filluar nga viti
2011.

Pompeo shkoi deri aty sa fajësoi administratën e mëparshme për
ngritjen e ISIS-it dhe forcimin e besimit të Iranit, që ishte pasojë e
sanksioneve pas nënshkrimit të një marrëveshjeje mbi programin bërthamor.

Duke i quajtur SHBA një “fuqi të mirë” në Lindjen e
Mesme, Pompeo u përpoq të bindte aleatët se amerikanët do të mbeteshin të
përkushtuar për të eleminuar kërcënimin e paraqitur nga ISIS pas tërheqjes së
forcave amerikane nga Siria.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re