Komuniteti Mysliman i Shqipërisë iu ka drejtuar thirrjen besimtarëve myslimanë që të mos ngurojnë të deklarojnë përkatësinë e tyre fetare gjatë procesit të Censit të Popullsisë dhe Banesave.

Në mesazhin për qytetarët thuhet se “ky është një proces, tepër i rëndësishëm, dhe secili duhet ta deklarojë me krenari.”

Censi i Popullsisë, nis më 18 Shtator të këtij vit dhe zhvillohet një herë në 10 vite. Pyetja sa i takon përkatësisë fetare, në fakt renditet si një nga pyetjet sensitive, të cilës duhet ti përgjigjen qytetarët, si dhe është lënë në deklarim të lirë.

Mesazhi i Komunitetit Mysliman:

“Të dashur besimtarë, praktikantë ose jo.

Nesër, datë 18 shtator 2023, në të gjithë Shqipërinë do të nisë Censusi, Regjistrimi i Popullsisë dhe Banesave të të gjithë shqiptarëve.

Ky është një proces tepër i rëndësishëm, pasi në të do të deklarohet edhe përkatësia fetare e çdo individi.

Megjithëse kjo pjesë është lënë “deklarim me dëshirë”, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ju bën thirrje dashamirëse të gjithë besimtarëve, qofshin praktikantë ose jo, të deklarojnë përkatësinë e tyre fetare duke iu përgjigjur pyetjes, ‘cila është feja ose besimi që ndjek ose i përket’, të shënoni: “Mysliman”.

Deklarojeni me krenari besimin tuaj dhe sigurohuni që regjistruesi ta hedhë saktë në tabelën elektronike, ashtu siç ju e deklaroni.

Thirrja nuk është për numra, është për krenari e dinjitet të besimit të secilit.”

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re