Ministria ruse e Mbrojtjes ka hartuar një projektligj për ndalimin e publikimeve në rrjetet sociale nga ana e ushtarëve profesionistë apo personeli tjetër ushtarak, për shkaqe sigurie.
Projektligji thotë se fotot, videot dhe materiale të tjera të ngarkuara në internet mund të zbulojnë detaje ushtarake të dobishme për armiqtë. Për më tepër identifikimi automatik përmes “GPS”-it mund të zbulojë vendndodhjet e një njësie ushtarake.
Drafti i hartuar prek ushtarët e kontraktuar, të cilët mund të dërgohen me misione jashtë vendit, e jo edhe rekrutët.
Kohët e fundit, publikimet e ushtarëve rusë kanë zbuluar forcat e dërguara në Ukrainë apo Siri. Për shembull, në korrik të vitit 2014 një korrespondente e BBC-së ripublikoi në “Twitter” një foto të publikuar nga një ushtar rus, i cili me krenari raportonte dërgimin e raketave “Grad” drejt rebelëve prorusë në Ukrainë.
Rusia aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë në mars të atij viti, e në muajt në vijim rebelët pushtuan territore të tëra në Donetsk dhe Luhansk, rajone kryesisht rusishtfolëse në lindje të Ukrainës.
Ukraina dhe qeveritë perëndimore akuzojnë Rusinë se ka furnizuar me armatime të rënda dhe me përforcime trupash, rebelët separatistë. Rusia pranoi pas njëfarë kohe se disa “vullnetarë” rusë kishin shkuar në ndihmë të rebelëve, por mohon prej atëherë të ketë dërguar forca të rregullta ushtarake.
Në një video të publikuar në “Youtube”, një reporter i “Vice News” zbuloi sesi një publikim në rrjetet sociale nga një ushtar rus i kishte mundësuar atij të konfirmonte rolin e drejtpërdrejtë ushtarak të Rusisë në luftimet në lindje të Ukrainës.
Në gusht të 2014-s, një artikull i ekipit investigativ “Bellingcat” njoftoi se postimet e disa ushtarëve rusë kishin konfirmuar vdekjet mes disa anëtarëve të regjimentit të 76 ajror të Rusisë në lindje të Ukrainës. Regjimenti ndodhej në Pskov, në perëndim të Rusisë. “Bellingcat” është e specializuar në analizat e rrjeteve sociale për të dokumentuar konfliktet, përfshi këtu edhe rolin ushtarak të Rusisë në Siri.
Ndaj, Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se dy trupat kryesore shtetërore të sigurisë, “FSB” dhe “FSO”, i kanë ndaluar tashmë stafet e tyre të publikojnë në rrjetet sociale përmbajtje mbi veten e tyre apo punën e tyre. Ligji i ri që pritet të miratohet e që do të prekë personelin e Forcave të Armatosura, do të hyjë në fuqi në janar të vitit 2018, siç raporton agjencia e lajmeve “Tass”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re