Njësia e dekriminalizimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme kërkon heqjen e mandatit për deputetin e PDIU në qarkun e Elbasanit Aqif Rakipi dhe për deputetin e LSI Gledion Rehovica.
Kjo kërkesë është depozituar këtë të martë në komisionin qëndror të zgjedhjeve nga drejtuesja e këtij seksioni prokurorja Rovena Gashi. Kjo kërkesë e Gashit vjen pak ditë pasi në krye të akuzës është vendosur kryeprokurorja e re Arta Marku.
Por cila është arsyeja që Gashi ka kërkuar heqjen e mandatit për këta deputetë? Sipas kërkesës së depozituar në KQZ Gashi argumenton se dy deputetët gjatë qëndrimit të tyre vite më parë në Itali kanë përdorur identitetet të tjera nga ato që kanë sot dhe kanë qenë të arrestuar për veprën penale të vjedhjes.
Këto të dhëna sipas prokurorisë nuk janë pasqyruar në formularin e dekriminalizimit dhe për pasojë i penalizon deputetët si shkelës të ligjit të dekriminalizimit.
Zbulimi i të shkuarës së deputetëve në Itali është bërë falë marrjes së gjurmëve të gishtrinjëve të dhëna të cilat më pas i janë përcjell Europol dhe Interpol si dhe partnerëve italian sqarojnë burime nga prokuroria për ReportTv.
Tashmë i përket komisionit qendror të zgjedhjeve të vendos nëse do të pranojë kërkesën e prokurorisë për ti hequr mandatin deputetëve të Elbasanit dhe Beratit.
Aktualisht njësia e dekriminalizimit në prokurorinë e përgjithshme është duke verifikuar dhe një sërë zyrtarësh të tjerë mes tyre kryebashkiak dhe deputet që dyshohen se kanë probleme me të shkuarën e tyre.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re