Për 12 muajt e vitit 2019, Prokuroria ka verifikuar 204 raste të zyrtarëve të lartë që përfshihen në procesin e dekriminalizimit. Sektori i Verifikimit të Integritetit të Personave që Zgjidhen, Emërohen ose Ushtrojnë Funksione Publike pranë Prokurorisë së Përgjithshme, gjatë vitit 2019 ka hetuar dhe kryer verifikim të thelluar.
Gjatë kësaj periudhe, për 163 subjekte vetëdeklarues është përfunduar verifikimi dhe janë përcjellë rezultatet e verifikimit, ndërkohë që 41 raste vijojnë të jenë në proces verifikimi brenda afatit ligjor të kryerjes së verifikimit, të përcaktuar në ligjin nr.138/2015 dhe vendimin nr.17/2016 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
15 emra kanë rezultuar me probleme për të cilët është kërkuar humbja e postit dhe janë proceduar penalisht për deklarim të rremë dhe 41 kërkesa janë mbartur për vitin 2020 dhe janë ende në shqyrtim.
Për kryerjen e verifikimeve, Prokuroria e Përgjithshme përdor çdo të dhënë apo dokumentacion në dispozicion të saj ose i kërkon ato pranë çdo organi apo entiteti tjetër shtetëror, brenda apo jashtë vendit.
Në nenin 6 të ligjit për dekriminalizimin, thuhet se në çdo rast verifikimi është e detyrueshme të përdoren gjurmët daktiloskopike dhe çdo e dhënë tjetër biometrike që ruhet në bazat e të dhënave të identifikimit të shtetasve shqiptarë. Kur nuk disponohen gjurmët daktiloskopike dhe/ose të dhënat e tjera biometrike të shtetasit, për të cilin kryhen verifikimet, organi verifikues i kërkon shtetasit që brenda 5 ditëve të depozitojë këto të dhëna, sipas procedurave të legjislacionit mbi identifikimin dhe pajisjen me dokumente identifikimi të shtetasve. Në rast refuzimi për të depozituar gjurmët daktiloskopike, personi trajtohet sikur të ketë rezultuar në një nga rrethanat që përbën kusht për ndalim.
Organi ose enti shtetëror apo privat që mban gjurmët daktiloskopike dhe të dhënat biometrike, sipas ligjit për dokumentet e identitetit të shtetasve shqiptarë, në asnjë rast nuk mund të refuzojë aksesin te baza përkatëse e të dhënave dhe/ose dhënien e të dhënave të nevojshme për verifikim, sipas këtij ligji.
Zyrtari që është subjekt verifikimi, sipas këtij ligji, është i detyruar të japë pëlqimin e tij për verifikimin e çdo të dhëne personale të tij, përfshirë gjurmët daktiloskopike dhe çdo të dhënë tjetër biometrike. Ky pëlqim jepet në formularin e vetëdeklarimit, të parashikuar në nenin 5 të këtij ligji. Në rast refuzimi të dhënies së pëlqimit, shtetasi trajtohet sikur të ketë rezultuar në një nga rrethanat që përbën kusht për ndalim. Trajtimi i të dhënave kryhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
Kur ka informacion dhe është e nevojshme, verifikimi kryhet edhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Kërkesa për verifikim pranë organeve të juridiksioneve të huaja bëhet nga Prokurori i Përgjithshëm.
Kur verifikimi kryhet për një deputet, të zgjedhur vendor apo një funksionar që ka një mandat me kohë të përcaktuar, sipas Kushtetutës apo ligjit, e drejta për të nisur verifikimin e të dhënave, sipas këtij ligji, si rregull, përfundon me fundin e mandatit të personit të zgjedhur. Kur verifikimi ka nisur para përfundimit të mandatit, procedura e verifikimit kryhet deri në arritjen e konkluzioneve përkatëse.
Ndërsa, kur organet e parashikuara nga ky nen e përfundojnë verifikimin pas përfundimit të mandatit ose kur vihen në dijeni të rrethanave apo fakteve që provojnë ekzistencën e të dhënave të padeklaruara, sipas parashikimeve të këtij ligji, edhe pas përfundimit të mandatit, ato administrojnë përfundimet e hetimit dhe bëjnë kallëzim penal ose regjistrojnë fillimin e ndjekjes penale, në përputhje me nenin 190 të Kodit Penal.
Për të gjitha rastet e hetuara, Prokuroria e Përgjithshme bën raportim të posaçëm dhe të hollësishëm në Kuvend, në kuadër të raportimit vjetor mbi verifikimet, në zbatim të këtij ligji, dhe rezultatet e tyre. Me kërkesë të 1/10 së deputetëve ose të 1/3 së anëtarëve të Këshillit për Rregulloren dhe Mandatet të Kuvendit, Prokuroria e Përgjithshme raporton para këtij komisioni mbi verifikimet, në zbatim të këtij ligji, dhe rezultatet e tyre.