Pas një muaji pushim, nesër rikthehet Kuvendi. Kjo do të jetë seanca e parë që do të zhvillohet që pas përhapjes së koronavirusit në vend, ku deputetët do të votojnë për ndryshmet në Kodin Penal, për të ndëshkuar të gjithë ata që shkelin masat e marra për parandalimin e pandemisë.

Megjithatë për deputetët janë marrë masa për t’i mbrojtur nga ndonjë infektim i mundshëm kështu që të gjithë do të jenë të pajisur me maska, doreza e dezinfektantë.

Për këtë arsye është hapur tenderi për “Blerje pajisje dhe materiale në kuadër të parandalimit të përhapjes së virusit COVID-19”, i cili brenda 2 orëve do të caktojë fituese një kompani që do të marrë përsipër sigurinë e deputetëve dhe administratës së Kuvendit. Megjithatë përveç afatit të shkurtër për të siguruar pajisjet mbrojtëse, kompania ka edhe një tjetër kusht që të kualifikohet.

Kriteri bazë për një “po” është çmimi më i ulët që ofrohet nga pjesëmarrëset në garë. Kuvendi kërkon të blejë 250 copë material denzifektantë, xhel për duart, vitaminë E, Aloe Vera, trietsnolamine e alkoletilik dhe 180 maska. Të gjitha materialet e siguruara nga tenderi do t’u shpërndahen deputetëve dhe administratës.

Siç e ka njoftuar edhe kryeparlamentari Gramoz Ruçi, nesër të gjithë të pranishmëve në Kuvend do t’i matet temperatura, do të shpërndahen në sallë dhe në dy katet e tjera dhe do të flasin nga vendi për të shmangur lëvizjen.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re