Një aksident i rëndë është regjistruar këtë të hënë në lagjen periferike të qytetit, në lagjen “Uznovë”.

Një mjet, tip Audi A 80, me targa AA 135 BZ, duke udhëtuar me shpejtësi në drejtim të qytetit ka humbur kontrollin dhe është përplasur me shtyllën.

Pas përplasjes me shtyllën, mjeti që drejtohej nga dy të rinjtë ka përfunduar i përplasur me murin ndarës të një shtëpie në anë të rrugës. Përplasja ka qenë shumë e fortë dhe të rinjtë u nxorën nga mjeti me vështirësi nga punonjësit e Repartit Zjarrëfikës, që mbërritën në vendngjarje pak minuta pas aksidentit së bashku me forcat e policisë.

Drejtuesi i mjetit N.Xh, 30-vjeç dhe pasagjeri 27-vjeçar që udhëtonte në të njëjtin mjet janë dërguar në Spitalin Rajonal të Beratit, në gjendje të rëndë dhe janë nën kujdesin e mjekëve. Burimet policore në vendngjarje konfirmojnë se aksidenti ka ndodhur për shkak të shpejtësisë, jashtë normave të lejuara me të cilën po udhëtonin dy të rinjtë, në momentin kur humbën kontrollin dhe u përplasën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re