Mbrëmjen e sotme mbeti i vrarë me armë zjarri një shtetas 38 vjeçar i identifikuar si Delon Troqe, i cili kishte dy javë që ishte kthyer nga Spanja.

Një breshëri kallashnikovi u zbras ndaj 38 vjeçarit përpara servisit në pronësi të tij, në lagjen Pavarësia. Plagët që ka marrë nga të shtënat rezultuan fatale për Troqen , i cili ndërroi jetë në spital.

Pikërisht në spital pati dhe një konfrontim mes familjarëve të viktimës dhe bluzave të bardha dhe sipas burimeve bluzat e bardha janë dhunuar nga familjarët.

Pak momente pas ngjarjes së rëndë që tronditi Vlorën mbrëmjen e kësaj të premte, një makinë u gjet duke u djegur në Shërisht, e cila dyshohet se i përket autorëve të ngjarjes.

Sipas burimeve, shtetasi Delon Troqe rezulton me precedent penal duke qenë se është dënuar për trafik droge.

Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe është duke krehur zonën për të gjetur gjurmë që mund të çojnë në arrestimin e autorëve.

Njoftimi i policise:

Vlorë/Informacion paraprak

Rreth orës 21:50, në lagjen “Pavarsia”, Vlorë, në rrethana ende të pa qarta  është qëlluar me armë zjarri  shtetasi D. T., 38 vjeç, banues në Vlorë,   i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spitalin e Vlorës.

Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendgjarje ku është rrethuar zona dhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe në dalje të qytetit dhe përgjatë rrugëve që lidhin njësitë administrative me qëllim kapjen e autorit/ve.

Gjatë krehjes së zonës, në fshatin “Sherishtë”, nga shërbimet e Policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur, i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit/ve të ngjarjes.

Gjithashtu janë shoqëruar në Komisariat disa shtetas të cilët dyshohen se kanë dijeni për ngjarjen.

Grupi hetimor po vijon punën për sekuestrimin e çdo prove materiale që do ti shërbej zbardhjes së ngjarjes dhe identifikimit të autorit/ve.

(E.H/Faxweb.al)

loading…

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re