Nga James M. Dorsey, Eurasia Riview

Gaza nuk është një luftë e vetme, por një luftë e shumëfishtë. Përtej tmerreve të luftës kinetike në Rripin e Gazës, Izraeli, palestinezët, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Irani dhe grupime të shumta politike, duke përfshirë studentët pro-palestinezë, mbështetësit e Izraelit dhe forcat e ekstremit të djathtë, janë duke zhvilluar shpesh ndërmjet tyre luftërat informative mbi Gazën.

Për të forcuar mbështetjen e Kongresit dhe publikut Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, Ministria e Çështjeve të Diasporës së Izraelit, agjencia qeveritare përgjegjëse për menaxhimin e marrëdhënieve me hebrenjtë në mbarë botën, organizoi dhe financoi një fushatë ndikimi prej 2 milionë dollarësh, për të nxitur mbështetjen e SHBA-së mbi luftën e saj në Gaza.

Mesazhet islamofobike të fushatës, pasqyruan përpjekjet e vjetra të Emirateve të Bashkuara Arabe për t’iu kundërvënë islamikëve të perceptuar si radikalë në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, pjesërisht duke krijuar lidhje me të djathtën ekstreme.

E shfaqur që në vitet 1960, kundërvënia e Izraelit ndaj aktivizmit pro-palestinez në Shtetet e Bashkuara përmes akuzave për antisemitizëm dhe parullave të shpeshta anti-muslimane, i paraprin përpjekjes më të fundit anti-islamike të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ushtria izraelite e pranoi vitin e kaluar, se kishte “gabuar” gjatë luftës së Gazës së vitit 2021, kur nisi një fushatë të fshehtë ndikimi në mediat sociale, duke përdorur llogari të rreme për të forcuar mbështetjen publike ndaj izraelitëve. Por ky skandal nuk e ndaloi kryeministrin Benjamin Netanjahu të emëronte në prill gjeneralin Roman Gofman, një nga oficerët e përfshirë në fushatat e ndikimit, si këshilltarin e tij ushtarak.

Përpjekjet izraelite për të ndikuar mbi opinionin publik dhe ligjvënësit në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada gjatë luftës aktuale, janë zhvilluar paralelisht me një fushatë të shtuar për të njollosur Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinë (UNRËA), grupi kryesor humanitar që u shërben palestinezëve në Gaza dhe gjetkë.

Po ashtu, pati një fushatë të fshehtë të luftës psikologjike, që synonte të pengonte një hetim të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për shkeljet e supozuara izraelite të ligjit ndërkombëtar. Kryeprokurori i gjykatës, Karim Kan, i ka kërkuar gjykatës të lëshojë urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu dhe Ministrin e Mbrojtjes Joav Galant për sjelljen e tyre në luftën aktuale të Gazës.

Fushata izraelite në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, u zhvillua paralelisht me një përpjekje të dyfishtë dinake për ndërmjetësimin e Katarit, e cila synonte arritjen e një armëpushimi, në mos po edhe fundin e luftës së Gazës, dhe shkëmbimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi për palestinezët e burgosur në Izrael.

Përpjekja izraelite, kishte të bënte po aq me bindjen e Katarit për të ushtruar presion ndaj Hamasit, i cili këmbëngul për një armëpushim të përhershëm dhe jo për një ndalim të përkohshëm të luftimeve siç mendon Izraeli, dhe potencialisht dëbimin e Hamasit nga shteti i Gjirit Persik, nëse do të kishte përpjekje për të bllokuar negociatat.

Presioni i Izraelit ndaj Katarit në raport me Hamasin, mori mbështetje nga republikanët në Kongresin e SHBA-së. Në të njëjtën kohë që Izraeli u përpoq të ndikojë mbi opinionin publik dhe ligjvënësit në Amerikën e Veriut, të kundërshtonte veprimet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe të paralizonte punën humanitare të UNRWA-s dhe Katarit, grupime mashtruesish kibernetikë të lidhura me Izraelin në Marok, Egjipt dhe Arabinë Saudite filluan të aktivizohen me shpejtësi.

Të krijuar që para luftës së Gazës, ata e ekzagjeruan brutalitetin e pamohueshëm të sulmit të 7 tetorit 2023 që vrau më shumë se 1.100 izraelitë, kryesisht civilë, dhe të huaj dhe çoi në rrëmbimin e 250 njerëzve. Duke përdorur llogari të rreme, ata argumentuan se sulmi shkelte ligjin islamik, e akuzuan Iranin se po synonte të pengonte përpjekjet e paqes të udhëhequra nga SHBA, dhe pretenduan se Islami ishte një fe e dhunës dhe që promovon parulla raciste.

Por një sondazh i fillimit të këtij muaji nga Barometri Arab në Marok, hodhi dyshime mbi efektivitetin e fushatës izraelite. Kështu, vetëm 22 për qind e marokenëve të anketuar besonin se Izraeli është i përkushtuar ndaj një zgjidhjeje me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez.

Madje, mbështetja për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin ra nga 31 për qind, niveli  më i lartë në vitin 2022, në 13 për qind në sondazhin e fundit. Maroku, së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin, vendosën marrëdhënie diplomatike me Izraelin në vitin 2020.

Por Izraeli nuk është i vetëm në fushatat e tij djallëzore në internet. Nacionalistët hindu, ishin ndër mbështetësit kryesorë të kësaj strategjie për të denigruar bashkatdhetarët e tyre muslimanë. Teksa islamofobia po shfaqej dukshëm në fushatën zgjedhore të kryeministrit indian Narendra Modi, grupet e mashtruesve kibernetikë të lidhura me partinë e tij Bharatiya Janata (BJP), u përpoqën të përhapnin dezinformata që fyenin muslimanët dhe palestinezët.

Nacionalistët hindu e mbështetën Izraelin që nga dita e parë. Më 7 tetor 2023, ditën kur Hamasi sulmoi Izraelin, BJP e krahasoi sulmin me luftën e Indisë kundër militantëve islamikë. “Ajo me të cilën Izraeli po përballet sot, India e përjetoi midis viteve 2004-2014. Kurrë mos fal, kurrë mos harro!”, shkroi BJP në Twitter, duke iu referuar periudhës përpara sundimit të Modit.

Miliona indianë e shpërndanë këtë mesazh, duke e shoqëruar mbështetjen e tyre për Izraelin me retorikë anti-muslimane. “Synimi ishte i qartë. I shoqëruar me video që përshkruanin sulmet e dikurshme të ekstremistëve, mesazhi promovoi një narrativë të terrorizmit islamik, në një vend ku popullsia 220 milionëshe muslimane është demonizuar nga qeveria e Modit”- thotë gazetarja Rana Ajub.

Ngjashëm, miliona indianë lavdëruan në mediat sociale deklaratën e Ministrit izraelit të Mbrojtjes Joav Galant se “ne po luftojmë kafshët njerëzore, dhe po veprojmë në përputhje me rrethanat”. Izraeli nuk u distancua asnjëherë nga retorika islamofobike. Përkundrazi. Ai e nisi fushatën e tij informative në SHBA dhe Kanada, pasi lufta e saj brutale mori shumë jetë palestinezësh të pafajshëm dhe e shkatërroi Gazën, duke e zhdukur ndjeshmërinë fillestare që pati bota për Izraelin pas sulmit të 7 tetorit. Por ndryshe nga India, shumica e amerikanëve nuk i miratuan veprimet ushtarake të Izraelit në Gaza, sipas një sondazhit të Gallup në mars të këtij viti.

Sondazhi zbuloi një ndryshim të theksuar nga nëntori 2023. 55 për qind e të anketuarve amerikanë, u shprehën se nuk janë dakord me veprimet ushtarake të Izraelit, ose 10 për qind më shumë nga katër muaj më parë. Dy sondazhe britanike në fillim të këtij muaji, prodhuan lajme edhe më të këqija për Izraelin.

Shumica e të rinjve britanikë të anketuar nga portali “Unherd”, nuk besojnë se Izraeli duhet të vazhdojë të ekzistojë. 54 për qind e 18-24-vjeçarëve u pajtuan me deklaratën se “shteti i Izraelit nuk duhet të ekzistojë”. Vetëm 21 për qind nuk ishin dakord. Ndërkohë, vetëm 16 për qind e publikut britanik mbështeti Izraelin në një sondazh të YouGov.

Ndërsa një sondazh i Pew Research,  tregoi se më shumë amerikanë hebrenj të moshës 18-29 vjeç (51 për qind), ndiheshin “shumë më pak të lidhur me Izraelin” se ata (48 për qind) që ishin “shumë më të lidhur” me shtetin hebre që nga 7 tetori 2023.

STOIC, një kompani e marketingut politik me seli në Tel Aviv, e specializuar në teknologjitë politike, hartimin e audiencës, analizën e informacionit dhe menaxhimin e fushatave vullnetare dhe dixhitale, menaxhoi fushatën informative izraelite. Zbulimi i fushatës e detyroi atë të fshinte faqen në LinkedIn, ku mburrej me aftësinë e tij për të drejtuar fushata të mbështetura nga inteligjenca artificiale.

Gazeta izraelite Haaretz dhe Forbidden Stories, një rrjet gazetarësh investigativë, identifikoi kompani të shumta në Izrael që kryejnë operacione ndikimi, si dhe një industri paralele që ofron mjete të sofistikuara për të fshirë të dhënat e përdoruesve dhe individëve në platformat e mediave sociale pa u zbuluar.

Studiuesi i pavarur Marc Owen Jones, vëzhguesi izraelit i dezinformatave FakeReporter dhe Laboratori Dixhital i Kërkimeve Ligjore i Këshillit Atlantik, raportuan për herë të parë mbi fushatën izraelite në mars. Dy muaj më vonë, Meta, e cila zotëron Facebook, Instagram dhe OpenAI , operatori ChatGPT, konfirmoi operacionin dhe tha se e kishte ndërprerë atë.

Raporti tremujor i Metës mbi kërcënimet e kundërshtarëve, tha se kompania kishte mbyllur më shumë se 510 llogari në Facebook, 11 faqe në Facebook, 32 llogari në Instagram dhe një grup në Facebook të lidhur me fushatën. “Ky rrjet e kishte origjinën në Izrael, me shënjestër kryesisht audiencën në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada”- theksohej në raport, duke shtuar se fushata përfshinte llogari “me profilet e studentëve hebrenj, afro-amerikanë dhe qytetarë ‘të shqetësuar”’

Raporti pohoi se “fushata bleu angazhim jo-autentik (pra pëlqime dhe ndjekës) nga Vietnami për ta bërë përmbajtjen e saj të dukej më popullore nga sa ishte”. Kompania Meta tha: “Ndërsa individët pas saj, u përpoqën të fshihnin identitetin dhe koordinimin e tyre, ne gjetëm lidhje me STOIC, një kompani marketingu politik dhe të biznesi me qendër në Tel Aviv, Izrael. Tani është ndaluar nga platforma jonë”.

FakeReporter, raportoi se faqja që synonte kanadezët ishte e vendosur në të njëjtën adresë IP, që ishte origjina e shumë llogarive të tjera që synonin të godisnin aktivistët pro-palestinezë.

New York Times raportoi se Ministria e Çështjeve të Diasporës, e nisi fushatën në ditët e para të luftës së Gazës, ndërsa zyrtarët e qeverisë izraelite dhe drejtuesit e teknologjisë, u kërkuan start-up-eve të teknologjisë që të bëhen “ushtarë dixhitalë”.

Fushata krijoi edhe tre portale të rreme lajmesh në gjuhën angleze me emra si Non-Agenda dhe UnFold Magazine. Ata shfaqën artikuj pro-izraelit dhe përdorën mesazhe islamofobike.

FakeReporter tha se faqet kishin materiale plagjiaturë nga CNN dhe The Wall Street Journal për të promovuar qëndrimin e luftës të Izraelit.

Shënim: Dr.James M.Dorsey, gazetar dhe studiues i vlerësuar me shumë çmime, anëtar i Institutit të Lindjes së Mesme në Universitetin Kombëtar të Singaporit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re