Këshilli i Bashkiak i Tiranës ka zhvilluar ditën e sotme një mbledhje online, ku kreu i bashkisë Erion Veliaj ka bërë me dije se janë marrë në shqyrtim mbi 10 mijë dosje, nga të cilat 3000 do kalojnë nisur nga java tjetër, duke kompensuar me pagesë cash 3000 familje.

Ndërkohë për 200 familje që do duhet të vendosen në banesa të reja, do të kontraktohet ndërtuesi dhe do të nisë puna. Gjithashtu Veliaj tha se do të prishen edhe 41 pallate, në pjesën e Kombinatit dhe Kinostudios.

“Nëse dikush është zotërues i një vile të madhe, ky nuk është projekti social për të ndihmuar këta lloj, bëhet fjalë për ato familja me 1-2 kurora që duan një dhomë. Ne kemi shqyrtuar 10963 dosje, i kemi në proces verifikimi, së shpejti do kalojmë 3000 dosjet e para. Do fillojmë me pagesat ‘cash’ për 3000 familjet e para. Te ato familje që bëjmë pagesën ‘cash’ nuk kemi më detyrime ligjore, ata e vendosin vetë se çfarë bëjnë më paratë.

Për 200 familjet që kërkojnë shtëpi të re, do kontraktohet firma e ndërtimit dhe do vijojë puna.
Dua të bëj me dije dhe një lajm, është një lajm jo i mirë, bëhet fjalë për rreth 41 pallate që do të shemben, në zonën e Kombinatit, pak në Kinostudio. Unë e di që është gjithmonë e dhimbshme ndarja nga fqinjët, nga shtëpia, nga kujtimet, por këto vendime nuk i marr unë, por inxhinierët. Ata e vendosin nëse pallati duhet të shembet apo duhet të rindërtohet.

Ndërkohë është e rëndësishme që të kuptojmë diçka. Në më pak se 10 muaj kemi mbaruar me gjithë shtatorin, kemi inaguruar shtëpitë e dëmtuara në muajin shtator nga tërmeti. Së shpejti do të kemi gati dhe kompesimet për ata që janë prekur nga tërmeti i nëntorit. Ka nga ata që në kohë fatkeqësie fërkojnë duart, ka dhe nga ata që përveshin mëngët, si ju, bravo ju jam mirënjohës”, tha Veliaj.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re