Dëmet nga zjarret në Gramsh/ Bashkia: Familjet e prekura të aplikojnë për dëmshpërblim

Banorët që u prekën nga zjarret në fshatrat e Gramshit mund të aplikojnë për të përfituar dëmshpërblim. Thirja është bërë nga bashkia e Gramshit.

Ndërkohë, tetë grupe pune të ngritur nga kjo bashki kanë dalë në terren këtë të hënë për të bërë vlerësimin e të gjitha dëmeve që u shkaktuan nga zjarret që përfshinë shtatë fshatra.

Grupet do të jenë në të gjithë zonat që ishin në flakë disa ditë. Vlerësimet dhe të dhënat e grumbulluara nga grupet e punës do t’ju paraqiten institucioneve përkatëse, ku do të bëhet më pas edhe dëmshpërbimi për të gjitha familjet që u prekën.

Në terren do të vlerësohet çdo gjë që dogji zjarri. Nga të dhënat paraprake të deritanishme, janë rreth 40 banesa të djegura, ndërsa dëmet e tjera në pajisjet elektroshtëpiake apo bagëti nuk janë përllogaritur ende.

Nga në Gramsh janë shpërndarë gjithashtu 11 ton koncetrate nga rezervat e shtetit për të ushqyer të gjitha bagëtitë që i shpëtuan zjarreve dhe është bërë gjithashtu edhe strehimi i tyre.

Bashkia e Gramshit ishte më e goditura nga zjarret e javës së kaluar. Flakët lanë pas shtëpi të djegura, bagëti, qindra hektarë të shkrumbuar, një viktimë dhe të plagosur që morën ndihmë mjekësore në spital. Për të vënë nën kontroll flakët u punua disa ditë në kushte të vëhstira, ku morën pjesë qindra forca të emergjencave civile, ndihmuar edhe nga ajri.