Kontrolli i Lartë i Shtetit në një auditim të institucioneve të qeverisjes qendror dhe vendore për periudhën janar-gusht të këtij viti ka konstatuar shkelje me një dëm ekonomik prej 19.5 miliardë lekë.

Sipas KLSH, pjesa më e madhe e dëmit në buxhetin e shtetit prej rreth 14.7 miliardë lekësh janë shkaktuar nga menaxhimi jo efektiv i fondeve, ndërsa pjesa tjetër prej rreth 4.4 miliardë lekësh janë dëm ekonomik. Rreth 99% e dëmeve financiare në buxhetin e shtetit, sipas raportit, është konstatuar në fushën e shpenzimeve.

 

Janë 46 institucione vendore dhe qendrore përfshirë 21 bashki në vend që kanë shkaktuar dëme në financat publike ndërsa vendin e parë e zë kompania Albpetrol që vazhdon të jetë një gropë e zezë financiare për Shqipërinë.

Raporti thekson se 63% e totalit të shpenzimeve me pasojë dëm ekonomik janë konstatuar në këtë kompani, e cila zë gjithashtu edhe numrin më të lartë të kërkesave të KLSH-së për masë administrative.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar vendosjen e 542 masave disiplinore dhe 41 të tjerave administrative ndaj nëpunësve të institucioneve që kanë shkaktuar dëmin ekonomik.

“Në periudhën janar – gusht 2023, auditimet e kryera kanë përfshirë vlerësimin e aktivitetit në 121 subjekte duke përfshirë nivele të ndryshme të qeverisjes si : institucione qendrore, ministri dhe agjenci (përfshirë drejtori qendrore dhe rajonale në varësi të tyre), njësi të vetëqeverisjes vendore, drejtori të përgjithshme të administrimit fiskal, si dhe shoqëri aksionere me kapital shtetëror në të cilat shteti zotëron mbi 50% të aksioneve, apo projekte me financim të huaj”, thuhet ne raportin e KLSH.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re