29 korrik- Projekti Kombëtar i Rilindjes Urbane është investimi më i rëndësishëm i qeverisë shqiptare. Ky investim, i gjithanshëm dhe transformues për Beratin, nuk mund të keqpërdoret dhe të keqmenaxhohet në këtë mënyrë nga pushteti lokal.

Kështu u shpreh sot kryetari i ri i bashkisë së Beratit, Ervin Demo, i cili solli rastin e  segmentit Stadiumi i Vjetër – Stadiumi i Ri, një investim me vlerë prej 300 milionë lekë nga qeveria shqiptare, ku cilësia e dobët e punimeve ka bërë që kjo rrugë të dëmtohet.

“Ky është vetëm një ndër treguesit se pse pushteti lokal dhe bashkia Berat kanë nevojë urgjente për drejtim të ri, për më shumë përgjegjshmëri në realizimin e punëve publike dhe më shumë dashuri për qytetin”, – thekson Demo.

Ai shprehet i vendosur për ta kthyer bashkinë Berat tek qytetarët, duke u udhëhequr nga përgjegjshmëria ndaj ligjit dhe interesi publik, duke i dhënë fund një herë e përgjithmonë abuzimeve dhe papërgjegjshmërisë.

“Kjo që ka ndodhur nuk është rasti i parë, edhe pse do të dëshiroja shumë të ishte i fundit. Sapo të marrim drejtimin që na besuan beratasit më 30 Qershor, do t’ua kthejmë bashkinë qytetarëve dhe së bashku me ta do të bëjmë shumë më shumë, me më shumë vizion dhe me vetëdije të lartë qytetare”, – tha Demo.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko