13 gusht Bashkia e Beratit po punon për ngritjen e një task-force për eleminimin e fenomeneve jo fort të hijshme për qytetin.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo thotë se nuk ka zhvillim turizmi me dele që kullosin në qytet dhe qen që kanë zaptuar të gjithë qytetin.

“Jemi gati për të ngritur një Task-Forcë për të eleminuar gjithë këto fenomene jo të hijshme për qytetin. Nuk do të ketë më bagëti të imta që shëtisin në zonat urbane të bashkisë, aq më pak pranë zonave turistike, nuk do të ketë më qen në asnjë cep të qytetit që kërcënojnë çdo ditë komunitetin. Ne do te krijojmë kushtet e duhura për të akomoduar miqtë me besnik te njeriut. Cilido që nuk bindet dhe vijon të kullosë bagëtitë në zonë urbane, duhet të përballet me ligjin i cili do zbatohet në mënyrë të panegociueshme”, -thotë Demo.

Sipas tij, Berati duhet të jetë qytet i jetueshëm për banorët e tij dhe një qendër elitare për turistët vendas dhe të huaj.