VALENTINA MADANI/ Bashkimin, ashtu si në grup, demokratët vendosën ta përkthejnë dje në forcë numerike edhe nga mbledhja e Këshillit Kombëtar, duke ndarë detyrat për protestën kombëtare të 20 shkurtit.

Edi Paloka apeloi që më 20 shkurt qytetarët të mblidhen dhe të protestojnë kundër qeverisë. Sipas tij, duhet të jenë të gjithë në terren. Ndërsa takimin e parë në selinë e PD-së pas 2 vitesh Paloka e cilësoi një hap të madh drejt bashkimit të gjithë strukturës së PD-së

. “Jemi në kushtet kur lideri i opozitës është në “arrest shtëpie”. Rama e ka përjashtuar pothuajse opozitën nga të gjitha mundësitë që ka një deputet për të reaguar. Grupi Parlamentar do të vazhdojë qëndresën. Ka pasur dhe reagime nga mediet dhe institucionet ndërkombëtare, që i janë drejtuar Ramës me kërkesën për t’i plotësuar opozitës detyrimet kushtetuese. Në 20 shkurt për ne parësore është pjesëmarrja. Forcën duhet ta tregojmë me pjesëmarrje. 20 shkurti është aty, kur të jemi me dhjetëra, mijëra në shesh. Si ka thënë Berisha “popullin një herë e drejton, një herë të drejton”. Detyra jonë është që më 20 shkurt të sigurojmë pjesëmarrjen më të madhe që kemi arritur ndonjëherë. Revolta dhe pakënaqësia ka arritur kulmin te njerëzit. Synimi ynë kryesor është fitorja në zgjedhjet e ardhshme dhe rrëzimi i këtij regjim. Tani që Berisha është në ato kushte (arrest shtëpie), ne të tjerëve na takon të bëjmë 10-fish. Sali Berisha është me ne, por na duhet të dhjetëfishojmë punën tonë, që më 20 shkurt t’i tregojmë kujtdo se ne nuk pajtohemi më me diktaturën”, – tha Paloka.

Pjesëmarrja masive në protestën e 20 shkurtit nuk mjafton, për deputetin Bujar Leskaj, i cili në mbledhjen e Këshillit Kombëtar kërkoi një analizë të thellë. Në mbledhjen e Këshillit, që po vazhdon me dyer të mbyllura, mësohet se Leskaj kërkoi një mbledhje më të gjatë për të bërë një analizë. “Faktor të brendshëm ndihmues janë fuqitë dhe mundësitë. Duhet të shohim faktorët pengues dhe dobësitë. Të dimë thellë ku kemi problemet. Jemi para zgjedhjeve dhe duhet te kemi strategji dhe program të qartë. Në departamente bëhet punë shumë e mirë dhe ato duhen përcjellë te qytetarët”, – tha Leskaj.

Ai u ndal dhe te kodi zgjedhore, ndërsa theksoi se “nuk duhet hequr dorë nga listat e hapura.”

“Duhet t’i themi shqiptarëve idenë që kemi për kodin zgjedhor. Kemi problem mungesën e koalicioneve parazgjedhore. Ne nuk duhet të heqim dorë nga listat e hapura, si edhe nga primaret. Nëse e bëjmë, kalojmë në dekurajim në masë të madhe. Statut fraksionet le të krijohen. Të kenë përfaqësimin e tyre. Mbledhja e grupit shumë e rëndësishme shpresë plotë për të ardhmen, por mbi të gjitha rëndësi ka edhe puna në bazë te demokratët. Duhet ta shohim njëri-tjetrin me shumë dashuri. Kemi objeksion të përbashkët. Duhet parë formë e re organizimi, por më parë na duhet analiza”, – theksoi Leskaj.

Ish-deputeti Myslym Murrizi i pranishëm në sallë ka theksuar se bashkimi duhet të vijë nga baza, dhe jo nga lart si një bashkim tinëzarësh. “PD ka vuajtur nga heshtja. Ne nuk funksionojmë vetëm me “Facebook”. Këtu ka opozitarë të 1997. Heshtja na ka penguar. Po me 21 shkurt çfarë do bëjmë? Pse u venitëm pas 7 korrikut? Jo i kryer misioni ynë . Këto 2 vite u duk qartë e vërteta. Bashkimi ndodh duke u shkrirë dhe duke shkuar në bazë. Sot një vit do jemi në fushatë. Rama ka nis fushatën. Kush është propozimi për kodin zgjedhor, ende s’e kam dëgjuar. Me 20 ‘OK’ është protesta, por me 21 çdo bëjmë?! A do hartojmë programin? Ne do hyjmë në zgjedhje 2025 dhe duhet te gjejmë mënyrën ligjore si do hyjmë ne zgjedhje nëse vula nuk vjen te ne? Jo heshtje, jo lëpirje, jo duartrokitje duhet strategji e jona. Ne jemi shume pas revoltës qytetare. Duhet te jemi te besueshëm për qytetaret pas 2 vitesh akuza dhe deklarata shume të rënda për njeri tjetrin. Kërkimi ndjesës është fisnikëri. Ky bashkim të rrezatohet poshtë jo bashkim tinëzarësh”, – tha Murrizi.

Deputeti Edi Paloka iu përgjigj duke i thënë se deputetët do të jenë në bazë, ndërsa shtoi se të gjithë kanë mëkatet e tyre në politikë, por duhet të ecin përpara për qëllimin madhor. Deputeti Edi Paloka i është përgjigjur duke i thënë se deputetët do të jenë në bazë, ndërsa shtoi se të gjithë kanë mëkatet e tyre në politikë, por duhet të ecin përpara për qëllimin madhor. “Të gjithë deputetet pa përjashtim do jemi në bazë. Të gjithë kemi mëkatet tona ne politike, por na takon te ecim bashke për qëllimin madhor”, – tha Paloka.

Kurse deputetja Lindita Metaliaj u shpreh: “Protesta e 20 shkurtit nuk duhet të jetë pasarelë, nuk mund të dëgjojnë fjalime qytetarët dhe të shpërndahen. Janë të mërzitur, të dëshpëruar, duhet betejë, përballje, qëndrese. Përpara kemi diktatorin Rama, pa revoltë nuk largohet! Por patjetër ne duhet të jemi alternativë qeverisëse, të kthejmë besimin dhe shpresën tek demokratet”.

Propozimi, Shehu dhe Baçi: Berisha të jetë në protestë. Çupi kundër

Në mbledhjen me dy të mbyllura të grupit parlamentar të PD-së, dy prej deputetëve të pranishëm, Tritan Shehu Luan Baçi propozuan që ish-kryeministri, Sali Berisha të jetë pjesë e protestës së 20 shkurtit. “Unë mendoj se z. Sali Berisha duhet të jetë online në protestën që do të zhvillohet më 20 shkurt”, – tha Shehu. Kurse Baçi u shpreh: “Edhe une jam me idenë që të gjendet një formë që Sali Berisha, si kreu i PD-së që po mbahet padrejtësisht në arrest shtëpie, të ketë një fjalë përpara protestuesve me anë të teknologjisë”. Ndryshe mendon Dhurata Çupi, e cila është shprehur se nëse nuk mund ta ndihmojmë Berishën, të paktën mos ia rëndojnë pozitën juridike. “Lidhur me propozimin që në protestë të jetë live Sali Berisha. Uroj në mirëkuptimin tuaj. Por nëse nuk mund ta ndihmojmë z. Berisha, të paktën mos ia rëndojmë pozitën juridike”, – deklaroi Çupi. Ajo kërkoi përgjigje edhe për vizitën e sekretarit të shtetit. “Personalisht dua të them që me gjithë sensibilitetet që ka secili prej nesh, duhet që me faktorin ndërkombëtar të ndërtojmë një qasje ndryshe, bashkëpunuese dhe pozitive. Më datën 15, ditën e parlamentit viziton vendin tonë Sekretari Amerikan i Shtetit, Blinken. Cili do jetë qëndrimi sepse do jetë çështje që do marrë vemendje! Do e pershëndesim vizitën e tij? Do duhet që z. Bardhi dhe z.Noka të kenë përgjigje për këtë”, – tha Çupi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re