Anëtarja e Komisionit të Rithemelimit në PD, Mimoza Hajdarmataj, ka reaguar pas pezullimit të saj nga Partia me vendim të Kryesisë së drejtuar nga Lulzim Basha, me pretendimin se nuk është distancuar nga aktet e dhunës në protestën e datës 8 Janar.

Në një intervistë për Fax News, Hajdarmataj shprehet se nuk e njeh vendimin e Kryesisë, që sipas saj është shkarkuar nga Kuvendi i datës 11 Dhjetor, i thirrur nga Sali Berisha.

“Është një turp i madh i historisë së tranzicionit politik, varrmihësi është Lulzim Basha. Unë distancohem nga dhuna që është ushtruar nga brenda selisë. Nëse me këtë vendim kërkohet që të hiqet vëmendja nga dhuna që u ushtrua ndaj demokratëve, nga gurët, xhamat dhe lëndët helmuese, vetëm një i ngjashëm me një ish-ministër të diktaturës mund ta bëjë këtë.

Dhe për kë? Për demokratët që i kanë mandatuar, i kanë shkuar mbrapa, dhe i kanë ulur në ato karrige, dhe vetë Basha ishte ai që nuk donte të bëhej kryeministër, unë distancohem nga kjo lloj klike, demokratët do tia japin shumë mirë përgjigjen”, tha Hajdarmataj.

Në lidhje me arsyetimin e Kryesisë, se përjashtimi ka ardhur për shkak të mosdistancimit nga dhuna, Hajdarmataj tha se dhuna u ushtrua nga brenda selisë.

“Paragrafi që na shoqëron ne, ishte të distancohemi nga dhuna, unë distancohem nga Lulzim Basha dhe nga të gjithë ata që kanë ushtruar dhunë nga brenda, kanë hedhur lëndë helmuese për demokratët me të cilët ne kemi bërë beteja në këto 30 vite. Shpirti i demokratëve është i lirë, dhuna ka ardhur nga brenda selisë së PD-së”, u shpreh më tej Hajdarmataj.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në një mbledhje që zgjati pak më shumë se 8 orë, kryesia e PD-së e drejtuar nga Lulzim Basha vendosi përjashtimin e Sali Berishës nga PD, së bashku me 7 anëtarë të tjerë të Komisionit të Rithemelimit, dhe pezullimin e 19 të tjerëve. (Lexo lajmin) Pretendimi i kësaj vendimmarrje ishin aktet e dhunshme në protestën e datës 8 Janar, përpara selisë së PD-së.

Burimet saktësojnë se mbledhja e nisur pasditen e djeshme (e hënë) rreth orës 18:30 ka përfunduar vetëm rreth orës 03:30 të mëngjesit të sotëm. Sipas burimeve të Fax News anëtarët e komisionit të rithemelimit që janë përjashtuar janë: Bujar Nishani, Flamur Noka, Albana Vokshi, Edmond Spaho, Arben Ristani, Klevis Balliu dhe Keltis Kruja.

Ndërkohë që për pjesën tjetër të anëtarëve të Komisionit të Rithemelimit, Kryesia ka vendosur që ata të qëndrojnë të pezulluar. Në mesin e atyre që janë pezulluar janë Agron Shehaj, Belind Këlliçi, Ledina Mandija, Tritan Shehu, Aldo Bumçi, Çlirim Gjata, Edith Harxhi, Edi Paloka, Luan Baçi, Oerd Bylykbashi, Lorenc Luka, Ivi Kaso, Mimoza Hajdarmataj, Genc Pollo, Genc Deromemaj, Eno Bozdo, Ervin Minallori, Rigers Muçollari dhe Bledi Himçi.

Pritet që ky vendim i kryesisë të kalojë më pas për miratim në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike.

Mbledhja e djeshme e Kryesisë së PD-së u zhvillua nën masa ”të rrepta”, ku Lulzim Basha iu kërkoi të gjithë të pranishmëve që të hiqnin telefonat në mënyrë që të mos kishte rrjedhje jashtë të informacioneve.

Derimë tani precedenti ka treguar se Lulzim Basha ka shumicën e votave në Këshillin Kombëtar.

Në reagimet e deritanishme, të disa prej të përjashtuarve të pezulluarve, thuhet qartë se vendimi i Kryesisë së Lulzim Bashës nuk do të njihet.

Kuvendi i thirrur nga Berisha në 11 Dhjetor, pretendon se e ka shkarkuar këtë kryesi, dhe ka ndryshuar statutin e partisë.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re