“Buxheti është për të ardhmen dhe jo për të shkuarën”, ka qenë kjo një ndër frazat e ministrit të ekonomisë Arben Ahmetaj, në një paraqitje në komisionin përkatës, kur shfaqi pikëpamjet personale, por dhe politike siç tha, në lidhje me skemën e dëmshpërblimin për ish-të përndjekurit. Ajo doli nga goja e ministrit ndërsa u pyet nga kryetari i komisionit Erion Braçe se ç’mendonte mbi nivelet e trashëgimtarëve në skemë, në kuadër të një diskutimi mbi ndryshimin e ligjit të dëmshpërblimeve, ku ndryshohet raport parësor – jo-parësor.

Për ministrin Ahmetaj, nëse te dëmshpërblimet duhej të përfshiheshin edhe trashëgimtarë pa vuajtje e ndëshkime të drejtpërdrejta, atëherë për 100 vjet brezat e ardhshëm duhej të paguanin për të brezat e shkuara.

Gjithsesi, ai mbrojti me shifra rolin e qeverisë socialiste në dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve, të pakrahasueshëm sipas tij me PD-në.

“Unë dua të ndaj me ju disa shifra, të cilat tregojnë se  çfarë ka ndodhur me ish-të përndjekurit. Po të vini re, në vitet elektorale 2009 dhe 2013, ish-qeveria ka tentuar të përdorë buxhetin e shtetit me emocione elektorale ndaj këtij grupi. Në 4 vjet janë shpërndarë 7.9 mld, që nga 2014 deri në 2018 në 4 vite janë shpërndarë 9.1 mld. Sa i përket kategorisë parësore, në periudhën 2009-2013 kësaj kategorie i janë dhënë 1.5 mld lekë, ose 15 mln dollarë në 4 vite. 2014-2018 kategorisë parësore i janë dhënë 7.07 mld lekë, pra 70 mln dollarë. Ky krahasim tregon kujdesin që kjo mazhorancë ka edhe ndaj kësaj kategorie që ka vuajtur në regjimin komunist. Shifrat janë kokëforte, të thata për të treguar edhe të vërtetën e atij debati politik se csfarë i bën njëra palë kësaj kategorie dhe cfarë i bën pala tjetër. Ata që dikur kanë mbajtur flamurin se i kanë mbështetur këtë kategori, atyre që kanë vuajtur drejtpërdrejt, iu kanë dhënë 15 mln dollarë. Ndërsa deri më sot, brenda mandatit të parë të qeverisë kanë marrë 70 mln dollarë. Ndryshimi i dytë që paraqesim në ligj është ndryshimi i raportit mes parësorëve, 70 me 30, duke i dhënë përparësi parësorëve. Ne do vazhdojmë për të paguar të gjithë kategorinë parësore”, tha Ahmetaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re