Fermerët në Fier janë ngritur në protestë mëngjesin e sotëm duke kërkuar dëmshpërblim për sipërfaqen me ullinj që preket nga projekti për ndërtimin e linjës 400 Kv Shqipëri-Maqedoni e Veriut, të financuar nga banka gjermane për zhvillim KfW.

Ky projekt shtrihet në një sipërfaqe prej 400 mijë metër katror ku preken 21 fermerë 8 prej të cilëve tokat e tyre i kanë të kultivuara me ullinj 20- vjeçare.

“Po tallen me popullin, nuk kemi marrë kokërr leku. Janë mashtrues, do t’i bëjmë rrjetat copash”, dëgjohet një banore.

Një tjetër protestues shprehet: “Largojini rrjetat, kur të marrim lekët vendosini. S’kemi marrë asnjë lekë, na jepni ata që na takojnë dhe vazhdoni punën.”

Sipas banorëve , dëmshpërblimi për rrënjë ulliri është qesharak ndërsa ka dhe matje të gabuara të sipërfaqeve të tyre. Këto toka janë ndarë me ligjin 7501 dhe pjesa më e madhe e banorëve zotërojnë aktin e marrjes në pronësi, por jo certifikatën e pronësisë , gjë që ka sjellë dhe pamundësinë e dëmshpërblimit.

“Një pjesë këtu nuk kanë certifikatë, i kanë hedhur dokumentet, por zvarriten. Ne u themi që u kemi ngritur 4 pika, të na ndihmojmë me certifikatat, ka parregullsi me sipërfaqet e tokës, na kanë ardhur me një vendim dhe pretendojnë se dokumentacioni ynë s’është i saktë, gjithashtu vlerësimi i ullinjve dhe i tokës është bërë me çmim qesharak. Banka gjermane e ka dërguar vlerësimin. Që të mos pengojmë punën, le ti shkulin ullinjtë gjatë kësaj kohe le të bëjnë dokumentet për dëmshpërblimin sipas bankës, të na hidhen lekët.

Janë shumë fermerë që preken, por me ullinj janë 8. Si sipërfaqe, unë vetëm kam 130 rrënjë ullinj. Dëmshpërblimi është qesharake, 5 mijë lekë. Ne nuk vendosim dot çmim”, thekson banori.

Ndërkohë drejtori i projekteve të jashtme në OST, Dorjan Sejamini ka pohuar se bashkohet me shqetësimin e banorëve, teksa ka theksuar se janë takuar dhe sqaruar disa herë me banorët dhe ka premtuar ndihmesë edhe në etapat e aplikimit për plotësimin e dokumentacionit të saktë.

Sejamini pohoi gjithashtu se ky është një projekt strategjik që dyfishon kapacitetet energjetike dhe vonesat në zbatimin e tij sjellin kosto të shtuar.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re