Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka denoncuar ditën e djeshme një akt skandaloz të dëmtimit të Parkut Arkeologjik Kombëtar të Apolonisë.

Drejtoresha e parkut Arkeologjikë të Apolonisë Ornela Durmishaj në një prononcim për mediat shprehet se pritet që këtë javë të nisë puna për restaurimin.

Ajo ka shtuar se është dëmtuar një monument gjatë mbylljes totale, monumenti i Nimfeut, i cili është një çezmë monumentale që ndodhet në periferi të qytetit antik të Apolonisë.

“Është dëmtuar një monument gjatë mbylljes totale. Në momentin që konstatuam dëmtimin gjatë fundjavës kemi bërë denoncimin në polici e cila ka ardhur pikërisht në atë ditë ka bërë verifikimet në terren dhe çështja është kaluar në prokurori. nga ana jonë është bërë dokumenti përkatës dhe është realizuar projekti i ndërhyrjes për ta rikthyer në gjendjen që ishte.

Është dëmtuar monumenti i Nimfeut, i cili është një cezmë monumentale që ndodhet në periferi të qytetit antik të Apolonisë, është i distancuar”, shprehet drejtoresha.

Institucioni bën me dije se dëmtimi ka ndodhur që me datë 13 Prill të këtij viti, përkatësisht dy muaj më parë, por pavarësisht kësaj, është mjaftuar me njoftimin e organeve kompetente, ndërsa nuk është dhënë njoftim zyrtar apo mediatik për ngjarjen e rëndë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re