Skip to content

“Dënim i butë për ish-krerët e UÇK-së në Hagë”/ Vuçiç: Thaçi mund të shpallet i pafajshëm

640 0 fhhjpg 1788006743

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pretendon se ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë mund të marrin një dënim që do të mbulohej nga koha që kanë kaluar tashmë në paraburgim.

Duke iu referuar informacioneve që, sipas tij, i kanë mbërritur nga shërbimet serbe të inteligjencës, Vuçiç tha se pjesa kryesore e akuzave që lidhen me krimet e pretenduara ndaj serbëve mund të rrëzohet.

Sipas tij, një nga skenarët e mundshëm është që të ketë një dënim formal, por jo për akuzat që lidhen me viktimat serbe.

“Një lloj dënimi do të ketë, por jo për shkak të viktimave serbe. Do të jetë vetëm sa për të mbuluar kohën e paraburgimit. Dhe pastaj, përsa i takon krimeve më të rënda kundër serbëve, Hashim Thaçi do të shpallet i pafajshëm”, u shpreh Vuçiç.

Presidenti serb e lidhi këtë skenar me atë që ai e konsideron si një qasje të njëanshme ndaj gjykimit të krimeve të luftës në ish-Jugosllavi.

Vuçiç përmendi edhe vendime të Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, duke sjellë si shembuj ish-gjeneralin kroat Ante Gotovina dhe ish-komandantin boshnjak Naser Oriç.

Sipas tij, vendime të tilla do të përdoreshin nga Perëndimi për të përcjellë mesazhin se serbët janë përgjegjësit kryesorë për krimet e kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.

“Na presin ditë të vështira politike”, tha Vuçiç, duke e lidhur këtë edhe me zhvillime të tjera politike dhe gjyqësore që prekin rajonin.