Karriera e lojtarit më të mirë turk të viteve të fundit është prej kohësh në tatëpjetë. Veç faktit se muaj më parë u detyrua të lërë Barcelonën dhe të kthehet në kampionatin turk, Arda Turan do të vuajë tani dhe një pezullim prej 16 ndeshjesh.

I njohur për temperamentin e tij, si dhe për një seri incidentesh dhe përplasjesh me figura të futbollit turk, Arda Turan e teproi vërtet të premten e shkuar.

Istanbul Bashakshehiri barazoi 1-1 me Sivasporin në Superligën turke, dhe humbi vendin e dytë në klasifikimin e përgjithshëm. I huazuar te Bashakshehiri, Arda Turan nuk ruajti dot nervat në fundin e kësaj ndeshjeje, duke e sulmuar me fjalë e me duar gjyqtarin anësor, e duke reaguar ashpër dhe ndaj gjyqtarit kryesor, për çka u ndëshkua dhe me karton të kuq.

Komisioni disiplinor pranë Federatës Turke të Futbollit ka komunikuar sot dënimin me 16 ndeshje pezullim për lojtarin. Një dënim rekord, shoqëruar dhe me një gjobë prej 39.000 lirash turke, të barabartë me 9.200 dollarë.

Dënimi nënkupton se Arda Turan nuk do të jetë në gjendje të luajë dhe në pjesën e parë të sezonit të ardhshëm, duke vënë në pikëpyetje qëndrimin e tij te Bashakshehiri.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re