Vendimin e Gjykatës së Posaçme për dënimin me burg të të përfshirëve në aferën e inceneratorit të Fierit, deputetja e PD, Jorida Tabaku e konsideron si hap pozitiv të drejtësisë. Ajo shprehet se vendimet e drejtësisë vërtetojnë se akuzat e ngritura nga opozita nuk ishin shpifje.
“Vendimi i sotëm i GJKKO në lidhje me të akuzuarit për aferën e inceneratorëve është një hap pozitiv i drejtësisë. Një vulë vërtetësie se akuzat e PD nuk kanë qenë “shpifje” sikundër akuzoheshim shpesh kur flitej për inceneratorët.
Për gjashtë vite me radhë afera e inceneratorëve është denoncuar dhe faktuar nga Partia Demokratike si një aferë korruptive që ka shndërruar shtetin në bankën personale të tre individëve që me duar në xhepa fituan 430 milion euro kontrata.
Për gjashtë vite me radhë Partia Demokratike ka demaskuar pa asnjë kompleks skemën korruptive që ka kapur nivelet më të larta të qeverisjes qendrore dhe asaj lokale”, shkruan ajo.
Dënimi i dy zyrtarëve të lartë, Lefter Koka dhe Alqi Bllako, sipas Tabakut, zbulon vetëm një pjesë të përgjegjësisë për këtë aferë.
“Ky është një hap i vogël që zbulon një pjesë të përgjegjësië për aferën 430 milion euro të inceneratorëve. Por, është një vendim që duhet të pasohet me hetimin e mëtejshëm dhe të thelluar ndaj personave të tjerë sidomos në inceneratorin e Tiranës.
Përgjegjësia e këtyre personave afërmendsh që është edhe politike. Mazhoranca socialiste i ka vendosur gjoksin mbrojtjes së kësaj afere duke u njehsuar me të që nga hapja e fushatës në Inceneratorin e Elbasanit në 2021 e deri tek avokatia publike e politike ne Komisionin Hetimor të Inceneratorëve”, thekson ajo.
Tabaku kërkon që SPAK të thellojë hetimet dhe të vërë përpara drejtësisë të tjerë zyrtarë të lartë të përfshirë në këtë aferë.
Gjykata e Posaçme ka dënuar me 10 vite burg ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka për skandalin e inceneratorit të Fierit.
Ish-ministri do të vuajë 6.8 vite burg për shkak se ka përfituar nga gjykimi i shkurtuar.
Togat e zeza kanë dënuar gjithashtu me 4 vite burg ish-deputetin, Alqi Bllako ku edhe ky i fundit ka përfituar nga gjykimi i shkurtuar, ndaj do të vuajë 2.8 vite burg.