Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që të mos i heqë mandatin kreut të Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdarit. Lajmi u dha nga kryekomisoneri, Ilirjan Celibashi, i cili theksoi se nuk ka një shkak ligjor që t’i ndërpritet mandari Hajdarit.

 

“Në gjykimin dhe vlerësimin e tij dhe është logjike për çdo rast të tillë, ai nuk ka paraqitur një të dhënë të tillë për një proces penal, vendimi është penal. Kjo ka qenë e panevojshme për t’u deklaruar, nën vlerësimin e tij, kjo nuk ka rëndësi për ne. Kjo e dhënë nuk përbën, nuk përfshin atë në kushtet e ndalimit për shkak të veprës penale, ngelet diskutimi që fakti që ai nuk e ka deklaruar. Ka pasur si detyrim që ta deklaronte këtë të dhënë. Edhe në respektim të precedentëve të krijuar nga ky institucion që prej viti 2020, ne kemi mbajtur qëndrimin që nuk ka detyrim subjekti vetëdeklaruar për të paraiqur rrethana apo shkaqe. Ky është një qëndrim i konsoliduar.  Nuk ka detyrim të përfshijë të dhëna që nuk përbëjnë shkak për të kandiduar. Vlerësoj që nuk ka një shkak ligjor që kryetarit të bashkisë Kuçovë t’i ndërpritet mandati”, u shpreh Celibashi.

 

Gjatë mbledhjes së sotme të KQZ-së, avokati mbrojtës, Theodhori Sollaku tha se nuk ka arsye për marrje të masës së ndërprerjes së mandatin, pasi Hajdari ka qenë vetëm 16-vjeç në atë kohë e nuk rezulton të ketë masë dënimi për të.

 

Po ashtu pala mbrojtëse kërkoi që seanca të mos zhvillohej në prani të mediave pasi ka karakter administrativ dhe nuk mund të zhvillohet spektakël.

 

Një ditë më parë, Prokuroria i dërgoi një shkresë KQZ-së, ku i bëri të ditur se kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari, është dënuar në Greqi.

 

Kërkesën në KQZ për verifikimin e pastërtisë së figurës së kryetarit të Bashkisë së Kuçovës e dorëzoi në KQZ koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe verifikimet i kreu Prokuroria e Përgjithshme.

 

Sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës së Shkallës së Parë në Janinë, thuhet se Kreshnik Hajdari është dënuar me 4 muaj burg, dënim i cili është konvertuar në 1500 dhrahmi gjobë, vendim i marrë më 23 qershor 1999.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re