Gjykata e Posaçme ka dënuar me 1 vit e 4 muaj burg ish-drejtorin e RTSH-së Thoma Gëllçi.

Burime bëjnë me dije për Fax News se me nga 1 vit burg u dënuan dhe Julian Tapia, Ervin Murraj, e Alban Malaveci.

GJKKO për katër shtetasit e lartpërmendur urdhëroi që 5 vite asnjë ptej tyre të mos ushtrojë funksione publike .

Avokati mbrojtës i Gëllçit, Dorian Matlija, u shpreh se vendimi i sotëm i Gjykatës, kënaq gjyqin popullor që iu bë klientit të tij, por nuk jep drejtësi.

“Kjo është një gjykatë popullore, ku duan të kënaqin njerëzit për konsum publik, është një çështje që mund të vendosë në rrezik zyrtarë të lartë, shteti nuk mund të funksionojë në këtë lloj mëyre. Do të kemi një rrugë të gjatë drejt pafajësisë. Është bërë një presion shumë i madh, që të ketë rezultate. Ka njerëz që kanë interes personal për dënimin e Thoma Gëllçit”, u shpreh Matlija.

Thoma Gëllçi dhe tre zyrtarët e tjerë u arrestuan për abuzimin e një procedure prokurimi për TV Agro, me vlerë 86 milionë lekë. Ish-drejtori i RTSH u arrestua disa muaj më parë, pasi bashkë me tre punonjës akuzohen për pabarazi në tendera dhe abuzim me detyrën në kohë kur Gëllçi ishte në detyrë.

Shkelja bën fjalë për një tender të vitit 2018 me fond prej 86 milionë lekësh për blerjen e pajisjeve për kanalin RTSH Agro, ku tre anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Alban Malaveci, Ervin Muraj dhe Julian Tapia akuzohen për shkelje të barazisë në tenderë.

Nga hetimet gjithashtu ka rezultuar se Thoma Gëllçi si ish-drejtori i Përgjithshëm i Radion Televizionit Shqiptar ka kryer shkelje ligjore në këtë procedurë prokurimi dhe akuzohet për shpërdorim detyre.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re