Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka dënuar me 22 vite burg shtetasin Lekë Vuksani, autor i vrasjes së Petrit Vuksanit, ngjarje e ndodhur më 2 maj të vitit 2023. Para togave të zeza prokuroria paraqiti provat që e implikojnë 35 vjeçarin në krimin e ndodhur në rrugën “Tom Kola” në Shkodër.

Gjatë një hetimi afro 1 vjeçar prokuroria thotë se Petrit Vuksani, 52 vjeç i cili ishte emigrant në Angli ia ka lënë banesën e tij autorit kundrejt një pagesë mujore. Viktima përpara se të ndodhte vrasja  kishte rreth një muaj që ishe kthyer nga Anglia. Shkak i kësaj ngjarje të rëndë u bë pikërisht fakti se viktima i kërkoi 35 vjeçarit Lekë Vuksani që të lironte shtëpinë që i kishte lënë me qira gjatë kohës që nuk ndodhej në Shqipëri. Autori i krimit  nuk ka rënë dakord dhe mendohet se situata ka agravuar deri në vrasjen e 52 vjeçarit Petrit Vuksani.

Ngjarja duket të ketë qenë e paramenduar, pasi Lekë Vuksani në momentin kur ka shkuar në banesë ka qënë i armatosur dhe ka hapur zjarr ndaj viktimës. Raportohet po ashtu se autori i dyshuar nuk njihej si person problematik dhe rezulton pa precedentë penalë. Nga ana tjetër viktima dhe autori nuk kishin lidhje me njëri tjetrin pavarësisht se mbanin mbiemrin e njëjtë. Muajt e fundit përpara ngjarjes viktima dhe autori janë konfliktuar disa herë për qiranë, pagesat e ujit dhe të energjisë elektrike të cilat pronari Petrit Vuksani që mbeti i vrarë ka pretenduar se nuk janë paguar nga qiramarrësi Lekë Vuksani.

“Me Petritin jemi njohur sepse edhe ai është nga Dukagjini. I kam marrë shtëpinë me qira duke qenë se ndodhej në Angli. Muajt e fundit kemi patur disa debate për qiranë e shtëpisë por edhe për pagesat e ujit dhe të energjisë elektrike. Atë ditë kur ndodhi vrasja Petriti erdhi dhe më nxori nga shtëpia. Unë u ktheva dhe e gjeta vetëm. Aty kemi debatuar dhe në debat e sipër gjeta një automatik që nuk është i imi por i Petritit. Në debat e sipër kam marrë armën dhe e kam qëlluar”, mësohet të ketë thënë autori i vrasjes.

Pavarësisht pretendimit se arma e krimit është e viktimës, policia dhe prokuroria kanë prova se armën e solli autori me vete dhe se ishte e tij.  Një dëshmi ka dhënë edhe gruaja në të cilën shkoi pas vrasjes shtetasi Lekë Vuksani për t’u fshehur. Autori i dyshuar i vrasjes e njihte atë zonë sepse më përpara në një shtëpi përballë kishte qëndruar me qira vëllai i tij. 35 vjeçari sipas dëshmisë së gruas pasi është futur në banesë me armë në dorë i ka thënë se nuk të bëj asgjë. Autori u arrestua në këtë banesë pas 21 orësh kërkime intensive ndërsa aty iu gjet edhe arma e krimit. Pavarësisht se avokati mbrotjës i autorit në senacën për masën e sigurisë ka kërkuar vlerësim psikologjik një gjë e tillë është refuzuar nga gjykata duke e cilësuar autorin si person pa probleme të shëndetit mendor dhe duke e dënuar me 22 vite burg.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re