Një shtetas francez është dënuar nga Gjykata e Tiranës, me katër vite burgim, pasi kishte mashtruar se do të sillte balerina nga Kuba ose Evropa Lindore për një hotel shumë të njohur në Tiranë.

Burime për gazetaren Anila Hoxha thanë se Prokurori i çështjes, Bledar Valikaj, i cili ka nisur hetimin e ngjarjes që prej vitit 2019, shpalli pretencën sot dhe po ashtu kërkoi katër vite burg.

Historia

Francezi 43-vjeçar, që akuzohet për mashtrim, ka komunikuar drejtpërdrejtë me menaxherin e hotelit të njohur në tiranë dhe i kishte kërkuar një shumë prej 10 mijë eurosh për sjelljen e balerinave nga Europa. Si fillim ata i kanë dhënë 6 mijë euro dhe 4 mijë të tjera do t’i jepeshin pasi të mbërrinin balerinat. Paratë janë dhënë në mënyrë legale, me deklaratë noteriale.

Por në momentin që ata kanë kuptuar se francezi po e shmangte punën e tij, ata kanë kërkuar kthimin e parave mbrapsht, por ai ka kundërshtuar. Kështu ata kanë vendosur të bëjnë kallëzim dhe kanë nisur hetimet.

Në përfundim të të gjithë hetimeve ka rezultuar se shtetasi francez ka përvetësuar nëpërmjet mashtrimit shumën prej 6 mijë euro.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re