Një qytetare i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar vonesat e përsëritura nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore në lidhje me pagesat e raporteve mjekësore pas lindjes. Sipas qytetares e cila denoncon publikisht rastin, ndonëse dokumentacioni për raportin e fundit është dorëzuar që në datën 6 qershor, pagesa nuk ka kaluar ende, duke e lënë pa mbështetjen financiare të nevojshme.
Qytetarja thekson se ka 7 muaj që trajtohet me raport pas lindjes dhe përsëri është i njëjti problem, e njëjta situatë pa zgjidhje. Denoncuesja ngre shqetësimin se zyrat financiare të ISSH mbajnë raporte pa i dorëzuar në bankë shpesh për shkak të një firme të vetme që mungon, teksa shton se numrat e kontaktit të institucionit janë vazhdimisht të fikur çka e bën të pamundur komunikimin me të për të marrë një përgjigje apo një zgjidhje të problemit në fjalë.
“Pershendetje JOQ! Nje denoncim mbi ISSH dhe une doja te beja. Vonesa te vazhdueshme ne derdhjen e raporteve pas lindjes, numrat e informacionit i mbajne gjithe kohen te fikur. Me ka kaluar raporti qe ne daten 6 qershor dhe ende s’ka kalu pagesa. Tallen me qytetaret i mbajne raportet ne finance dhe vetem per nje firme nuk i dorezojne tek banka. Po bej 7 muaj qe trajtohem me raporte pas lindjes dhe i njejti avaz gjithe kohen”, shkruan qytetarja për JOQ Albania e cila kërkon një zgjidhje të menjëhershme.
Në këto kushte qytetarja kërkon më shumë efikasitet dhe zgjidhje nga ISSH me në krye Astrit Hado, duke theksuar se pagesat për raportet pas lindjes nuk janë privilegj, por e drejtë e garantuar me ligj që nuk duhet vonuar në asnjë rast të vetëm./joq