Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ po investohet çdo ditë, veçanërisht në godina të reja si ajo e pediatrisë, infektivit etj. Por, krahas këtij ‘shkëlqimi’, mbetet problematikë kronike mungesa e medikamenteve, veçanërisht për sëmundjet e rënda, si kanceri. Kostoja e këtyre medikamenteve është shumë e lartë dhe nuk mund të përballohet privatisht, por nga ana tjetër mosmarrja e tyre në kohë mund të rrezikojë jetën e pacientëve.

Mungesa medikamentit Imatinib është denoncuar sot në faqen e blogerit Olti Curri, ku sikurse e përshkruan qytetarja përdoret për trajtimin e sëmundjes së Leucemisë Kronike. Shpesh qytetarët zgjedhin figurat publike për të denoncuar rastet, si forma më e shpejtë për të arritur në veshin e institucioneve./shendeti.com.al

Denoncimi i plotë i qytetares:

Të shkruaj në lidhje me mungesën e medikamentit Imatinib pranë Farmacisë Qëndrore të QSUT-së. Nëna ime vuan nga Leucemia Mieloide Kronike dhe trajtohet aktualisht me këtë medikament, i cili prej gati 2 muajsh është mungesë. Ndërprerja e terapisë për këtë sëmundje, sidomos ajo e menjëhershme mund te çojë ne një sere komplikacionesh, te cilat ndikojnë drejtpërdrejtë ne jetëgjatësinë e pacienteve.

Jam interesuar prej javësh pranë Farmacisë ne QSUT dhe me është komunikuar gjithmonë e njëjta gjë: nuk kane asnjë informacion se kur mund te vije medikamenti. Jam drejtuar pranë FSDKSH dhe për shkak te sulmit kibernetik mu komunikua se ankesat në portal aktualisht nuk merren parasysh. Po te drejtohem ty me shpresën se shqetësimi im, i cili është edhe i shume pacienteve dhe familjarëve qe përfitojnë nga ky medikament, do të merret parasysh.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re