Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka denoncuar sot se Tom Doshi dhe disa nga “të fortët” e tij, kanë detyruar një ambasadore të një vendi perëndimor që të largohej nga një takim që ka qenë duke zhvilluar në Shkodër.
Teksa denoncoi blerjen e votave, Basha tha se arsyeja pse ambasadorja perëndimore, të cilën nuk e përmendi me emër u largua nga mbledhja dhe iku ishte fakti se grabitja e një të riu ndodhi para syve të saj.
“Për herë të parë në 30 vite, Tom Doshi dhe banditët e tij detyruan të largohet dhe të mbyllë mbledhjen një ambasadore perëndimore, pasi grabitën në sy të saj një të ri shkodran i cili pati guximin të ngrihej në këmbë dhe të shprehej: këtu po blen vota Tom Doshi.”
Më tej, Basha tha se hileja e regjimit Rama-Doshi fshehu koncesionin e Partisë Socialiste si kamuflazh nën siglën e PSD-së.
Ai vazhdoi duke thënë se ka një ndërmarrje të përbashkët të Edi Ramës dhe të Tom Doshit për të fshehur nën siglën e kësaj ndërmarrjeje, të padëshiruarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
‘Nuk ka as PSD, as PS, por është regjimi Rama-Doshi që bleu me paratë e grabitura të shqiptarëve mjerimin që j’ua ka shtruar në sofra çdo familje shkodrane dhe shqiptare.’ tha më tej Basha.
