Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj dhe familjarët e tij janë kërcënuar.

 

Këtë pretendim e ka ngritur mesditën e kësaj të enjteje kryetari i PD-së, Sali Berisha.

 

Në një deklaratë për shtyp, Berisha tha se kërcënimet për Ahmetajn kanë nisur prej 3 javësh nga burgjet e Shqipërisë dhe zyrat e krimit shtetëror.

 

“Së pari, ju informoj se prej 3 javësh, breshëri kërcënimesh me jetën e tij, të prindërve dhe familjarëve të tjerë, fëmijëve, vërshojnë nga të katër anët drejt Arben Ahmetajt. Këto kërcënime kriminale dëshmojnë tmerrin dhe datën që Arben Ahmetaj u ka kallur Edi Ramës dhe Erion Veliajt si bosët kryesorë të vjedhjes së shekullit.

 

Me këto kërcënime ndaj Ahmetajt, Rama dhe Veliaj kërkojnë me çdo kusht që t’i mbyllin gojën që të mos i bëjë publike ndërhyrjet e Ramës dhe Veliajt si kupolë kryesore e vjedhjes së shekullit.

 

Kërcënimet me jetën e tij, të fëmijëve dhe familjarëve të Arben Ahmetajt që vërshojnë nga burgjet e Shqipërisë dhe zyrat e krimit shtetëror dëshmojnë se Agaçi, Rama dhe Veliaj janë pronarët e vërtetë të inceneratorëve janë “de facto” dhe “de juro” truri dhe ekzekutorët e vjedhjes së shekullit”, u shpreh ai.

 

Berisha i bëri thirrje autoriteteve që të marrin në mbrojtje familjen e ish-zv.kryeministrit dhe të dërgojë hetuesit e tij në vendodhjen e Ahmetajt.

 

“Ju bëj thirrje të gjithë hetuesve, prokurorëve, policëve, punonjësve të organeve të zbatimit të ligjit, që janë të interesuar në zbardhjen e të vërtetës rreth vjedhjes së shekullit, të marrin të gjitha masat për të mbrojtur familjarët, fëmijët, por edhe vetë Arben Ahmetaj.

 

Të dërgojnë aty ku ndodhet ky i fundit hetues, duke e pranuar atë si bashkëpunëtor të drejtësisë. Shqiptarët, mbi të gjitha duan të zbardhet e vërteta dhe të marrin mbrapsht paratë qindra milionë që ky grup i grabiti atyre me këtë aferë“, theksoi kreu i PD-së.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re