FB_IMG_1516088454264Top Channel në emisionin e tij investigativ Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës një skandal në radhët e policisë së shtetit. Një shef policie bën pazar për një marrëveshje prej 30 mijë eurosh me një qytetar. Në këmbim të parave zyrtari i policisë ofron drogë.

Oficeri i Policisë së Shtetit u filmua me zë dhe figurë teksa bën pazare për të trafikuar 200 gramë kokainë.

Në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” mbërriti një denoncim nga një 40-vjeçar nga Poliçani, i cili kishte probleme pronësie me oficerin e policisë, Julian Balliu, me bordero shef sektori për sigurinë rrugore në Shkodër dhe i komanduar në Tiranë.

Denoncuesi thotë se i ka paguar 30 mijë euro familjes së oficerit për një truall dhe nxjerrjen e lejes për ndërtimin e një karburanti në fshatin Mbrakull. Leja rezultoi se kishte probleme dhe nga viti 2013 deri në 2018, oficeri nuk i kishte kthyer lekët mbrapsht.

Nëpërmjet kamerave të fshehta, Fiks Fare dokumentoi se shefi i policisë i thotë denoncuesit se nuk i ka lekët dhe në këmbim i premtoi 200 gramë kokainë, të cilën do e merrte në Itali.

Denoncimi në Fiks Fare

“Kam probleme me një oficer policie. Ju lutem më ndihmoni”. Kjo ishte ankesa e mbërritur në redaksinë e Fiks Fare, nga një qytetar. Disa ditë më pas, në një intervistë për gazetarët, ai thotë se është 40-vjeç, banon në Poliçan. “Historia e problemeve të mia ka filluar që në vitin 2013. Pasi u ktheva nga kurbeti, vendos që të investoj paratë në Shqipëri. Bisedoj me një shok, atëherë e konsideroja shok, por tani jo më, për të investuar. Ramë dakord për një truall. Ai do më ndihmonte që të nxirrja lejen për një pikë karburanti, pasi kishte babanë kryetar i komunës Vërtop. Kam paguar 30 mijë euro. Fillova punë, hodha dhe rreth 10 milionë lekë të vjetra dhe pas dy ditësh më vjen policia. Kisha probleme me lejen për pikën e karburantit. Kisha disa dokumente, por nuk ishin të sakta” thotë 40-vjeçari. Më tej shpjegon se, nga viti 2013 e deri më sot, ka kontaktuar disa herë me familjen e oficerit, por nuk ka marrë mbrapsht lekët. Ai thotë se oficeri i policisë ka iniciale J.B dhe nuk e dinte saktësisht ku punonte, por tha se ka punuar në Lushnje dhe në disa drejtori policie. Pyetjes së përse i është drejtuar emisionit “Fiks Fare”, tha se dy ditë para denoncimit e kishte kontaktuar oficeri dhe i kishte ofruar diçka. “Më ofroi diçka të jashtëligjshme. Prandaj jam drejtuar te Fiksi. Nuk dua që të bëj diçka të tillë” përfundoi 40-vjeçari.

Pas denoncimit, Fiks Fare shkoi në fshatin Mbrakull, në Poliçan. Karburanti do të ndërtohej buzë rrugës nacionale Berat-Poliçan. Gazetarët siguruan edhe dokumentet e lejes, ku rezulton se në vitin 2011, KRRT-ja e ish-komunës Vërtop, ka miratuar një projekt me porositës shtetasin Julian Balliu për ndërtimin e një pike karburanti. Pasi nxjerrjes së lejes, Juliani kishte aplikuar edhe për lejet e tjera dhe në vitin 2013, nëpërmjet një kontrate, ia shet truallin denoncuesit të skandalit në Fiks Fare.

Në dokumente rezulton se leja për karburant është miratuar nga ish-kryetari i komunës Vërtop, Flamur Balliu, i cili është babai i oficerit Julian Balliu. Por, pas rotacionit të pushtetit në 2013, qeveria verifikoi lejet e ndërtimit, ku rezultoi se leja e nxjerrë për karburantin kishte probleme ligjore. Nga viti 2013 deri në janar 2018, denoncuesi nuk arriti që të marrë mbrapsht lekët e dhëna.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re